Lajme

Halimi: Abdixhiku u takua në hotel me Gjukanoviqin për shkaqe sigurie, presidenti i Shqipërisë nuk kishte dhënë asnjë arsye

08/16/2022 16:09
nga:G B

LDK nuk është takuar me presidentin e Shqipërisë, Bajram Begaj, pasi ky i fundit nuk shkoi në zyrat e kësaj partie.

Por, pati reagime se LDK e kishte takuar në hotel presidentin Gjukanoviq.

E, për këtë takim, nga LDK kanë sqaruar se ai takim ishte mbajtur në hotel për arsye sigurie, si kërkesë specifike e Gjukanoviqit.

Kështu ka bërë të ditur për Gazeta Blic, zëdhënësja politike e LDK-së, Sibel Halimi, e cila ka potencuar se një kërkesë të tillë nuk e ka pasur Begaj.

“Për hir të informimit të saktë të publikut, takimi i mëhershëm i kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku me Presidentin Gjukanoviq, është mbajtur në një hotel në Prishtinë, për arsye sigurie, si kërkesë specifike e këtij të fundit. Ndërkohë që në rastin e Presidentit Begaj, nuk ka pasur një kërkesë të tillë për shkaqe sigurie, apo çfarëdo arsye tjetër të ngjashme”, thekson ajo.

Ajo shpreh keqardhje për mosrealizimin e takimit me presidentin Begaj.

“Ashtu siç kemi bërë të ditur, Lidhja Demokratike e Kosovës shprehë keqardhje për mosrealizimin e takimit tonë zyrtar me Presidentin e ri të Shqipërisë, Shkëlqesinë e Tij, z. Bajram Begaj; me rastin e vizitës së tij të parë në Kosovë”, thotë ajo.

Halimi për Gazeta Blic shton se LDK synon të ndërtojë bashkëpunim të afërt me presidentin e Shqipërisë.

“LDK i vlerëson si qenësore raportet e mira të shtetit tonë me Republikën e Shqipërisë, ndaj në vazhdimësi ka mbajtur komunikim të rregullt me të gjithë krahët politikë atje. Një bashkëpunim të tillë – të afërt, synojmë të ndërtojmë edhe me Presidentin e sapozgjedhur, z. Bajram Begaj”, deklaron Sibel Halimi./Gazeta Blic/