Komentatori politik Halil Matoshi ka deklaruar se shoqëria politike e Kosovës ka bërë një gabim historik, duke theksuar se ajo ka qenë e aftë të bëjë gabime të mëdha në të kaluarën dhe se mund t’i përsërisë ato edhe në të ardhmen.
Sipas Matoshit, gabimi i parë dhe më i madh i shoqërisë politike kosovare ka qenë moszgjedhja e Adem Demaçit në postin e Presidentit të Kosovës.
“Populli i Kosovës, shoqëria politike kosovare e ka bërë një herë një gabim dhe mund ta bëjë edhe një gabim tjetër. Mendimi im është se gabimi i parë u bë kur Adem Demaçi, pavarësisht politikave të tij dhe mospajtimeve që mund të kemi pasur me të, e ka merituar një mandat për të qenë President i Kosovës,” është shprehur Matoshi.
Ai ka shtuar se mosdhënia e këtij mandati përbën një mungesë të rëndë historike dhe morale, duke theksuar se Demaçi tashmë nuk jeton më.
“Njeriu është në botën e amshimit dhe ne nuk e kemi bërë president,” ka përfunduar Matoshi, duke lënë të nënkuptohet se shoqëria kosovare ka dështuar të vlerësojë në kohë figurat e saj historike./Gazeta10/


