Gazetari dhe analisti Halil Matoshi ka folur lidhur me vendimin e Gjykatës Kushtetuese, të cilin e ka cilësuar si të pritshëm dhe që, sipas tij, e rikthen seancën konstituive në pikën 4.
Në një prononcim për Gazeta Blic, ai tha se përpjekja e deputetëve të Vetëvendosjes për të anashkaluar këtë vendim kushtetues ka dështuar, duke shmangur përjashtimin e komunitetit serb nga vendimmarrja në Kryesinë e Kuvendit.
Tutje, ai theksoi se Dimal Basha dhe Lëvizja Vetëvendosje e kanë shkelur Kushtetutën dhe se Basha duhet të japë dorëheqje.
“Dështoi suspendimi i Kushtetutës nga deputetët e Vetëvendosjes, sepse u shmang përjashtimi arbitrar i komunitetit serb nga vendimmarrja në Kryesinë e Kuvendit.”
“Dimal Basha dhe VV e kanë shkelë Kushtetutën, dhe nëse do të kishte etikë pushteti, ky njeri duhet të dorëhiqet”, tha ai.
Sipas Matoshit, në njoftimin e Gjykatës nuk ka shumë sqarime nëse përbën shkelje votimi veç e veç, dhe jo në pako, i dy nënkryetarëve nga radhët e komuniteteve pakicë – siç është praktikuar më parë dhe siç e parasheh Rregullorja.
“Është në interesin më të mirë të shtetit kosovar që kandidati i grupit parlamentar që përfaqëson komunitetin serb të votohet. Nëse jo nga VV, atëherë kjo barrë e mbrojtjes së shtetit bie mbi deputetët e ish-opozitës, që vijnë nga parti shtetformuese”, përfundoi Matoshi për Gazeta Blic.
Avni Arifi: Vendimi i Kushtetueses ishte i pritshëm, s’kishte nevojë të shkohej fare atje


