Lajme

Halil Geci i kërkon takim kryeministrit Kurti: Mos përgjigja juaj është mbështetje ndaj Komunikatës nr. 59, që ka dëmtuar rëndë familjen tonë

11/18/2024 22:37
nga:G B

Veprimtari i LDK-së, Halil Geci, i ka kërkuar kryeministrit Albin Kurti takim, raporton Gazeta Blic.

Këtë e ka bërë përmes një postimi në Facebook, ka thënë se me 9 tetor i ka bërë kërkesë për takim dhe ende s’ka marrë përgjigje, derisa ka shtuar mos përgjigja është mbështetje e tij ndaj Komunikatës nr. 59.

Ai ka thënë se pret përgjigje të shpejtë për këtë takim.

Postimi i tij i plotë:

Kërkesë për takim me Kryeministrin e Republikës së Kosovës

Datë: 09.10.2024

I nderuar Kryeministër,

Kërkesës sime për takim me Ju, të datës 09.10.2024, ende nuk më është dhënë mundësia për realizimin e saj.

Zoti Kryeministër, ende po pres që të më mundësoni takimin e kërkuar. Mosdhënia e përgjigjes ndaj kërkesës sime për takim më duket si mbështetje ndaj Komunikatës nr. 59, një komunikatë e shkruar nga i biri i Haxhi Polatit. Kjo komunikatë ka dëmtuar rëndë familjen time, veçanërisht vëllanë tonë, Ganiun, duke e quajtur “kalabrocinist me damkë”.

Në të njëjtën komunikatë thuhet se Ganiu u ka prirë ofensivave serbe, gjë që ka pasur pasoja të rënda për familjen tonë. Si rezultat i kësaj, Ganiu është plagosur, dhe dy shokë tanë janë vrarë.

Pres mirëkuptimin tuaj dhe një përgjigje sa më të shpejtë për këtë çështje të rëndësishme.

Ende jam duke pritur.

Me respekt,

Halil Geci