Deputeti i VV-së, Haki Abazi, sot do të intervistohet nga Prokuroria Speciale lidhur me deklaratat e tij për rastin Dehari, raporton Gazeta Blic.
Ai e ka konfirmuar se ka marrë ftesë për intervistim për të martën në ora 10:00.
Javën e kaluar ai kërkoi nga Prokuroria që të merret në pyetje kryeministri i vendit Albin Kurti për zhdukjen e mostrave të Astrit Deharit, nga Instituti i Mjekësisë Ligjore (IML).
Ndërsa, avokati i familjes Dehari, Tomë Gashi dje njoftoi se ka bërë kërkesë që të marrë pjesë gjatë marrjes në pyetje të Abazit në Prokurori.
“Në cilësinë e përfaqësuesit juridik të familjes Dehari sot me shkrim kam kërkuar që të marr pjesë gjatë marrjes në pyetje të tij në Prokurori. A do të na thërras Prokuroria apo jo e marrim vesh të martën”, ka shkruar Gashi.


