Lajme

Haki Abazi: ShBA-të po e izolojnë Kurtin, një gjë e tillë do të ndodhë deri kur fillon zbatimi i Asociacionit

04/02/2024 19:22
nga:G C

Ish-deputeti i VV’së, Haki Abazi thotë se kryeministri Kurti do të jetë i izoluar nga ndërkombëtarët.

Abazi këtë e tha në një prononcim për GazetaBlic ku komentoni biseden e djeshme të presidentes Osmani me ndihmëssekretarin e Shtetit, O’Brien, ku folën për dialogun.

Abazi shton se, kryeministri Kurti do të jetë në pozitë të tillë deri në momentin kur do të vendos të zbatojë Asociacionin.

“Është sinjal i qartë që kryeministri Kurti është i izoluar deri në momentin që nuk përmbush premtimin e tij, të dhënë në Brukesel e në Ohër për realizimin e Asociacionit”, tha Abazi për GazetaBlic.

Kujtojmë se, Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, dhe ndihmëssekretari amerikan i Shtetit për Evropën dhe Euroazinë, James O’Brien, biseduan më 1 prill për rregulloret monetare në Kosovë dhe për zbatimin e marrëveshjeve të arritura ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në dialogun e Brukselit.

O’Brien shkroi në rrjetin social X se “ne biseduam për rëndësinë e zbatimit të rregulloreve monetare, në mënyrë që ato të jenë në dobi të të gjithë qytetarëve kosovarë, përfshirë të komunitetit pakicë serb”.

Paraprakisht, duke e quajtur këtë telefonatë produktive, Osmani tha se kanë diskutuar hapat e Kosovës drejt anëtarësimit në Këshillin e Evropës, ku Kosova ka aplikuar në vitin 2022.

Në një postim në X ajo gjithashtu bëri të ditur se kanë biseduar në lidhje me zbatimin e Marrëveshjes së Brukselit në mes Kosovës dhe Serbisë.

“Theksova rëndësinë themelore të punës së bashku me aleatët tanë të SHBA-së në mbrojtjen e lirisë, pavarësisë dhe demokracisë sonë”, shkroi Osmani.