Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Haki Abazi në T7 ka folur rreth planit të përditësuar franko-gjerman, duke qartësuar se nuk e ka parë këtë plan, ndonëse publikisht ka bërë pyetje për të.
“Nuk e kam parë planin e përditësuar, sipas informacioneve është dorëzu sot, e kam bo publike pyetjen pse është dasht me u dakordu për planin franko gjerman”, tha ai.
Sipas Abazit, ka pasur pajtueshmëri që ky plan të mos diskutohet në publik.
Ai kërkoi përfshirje më të madhe institucionale sa i përket këtij plani
“Si cdo tjetër, edhe ky plan do të dalë në publik, duhet të dalë sa më shpejt sepse ky është fati jonë, nuk duhet t’ia injorojmë kuriozitetin qytetarëve”, tha ai.
Kujtojmë se sot gjatë ditës, Përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian për politikë të jashtme dhe siguri, Josep Borrell, konfirmoi se Prishtina dhe Beogradi kanë marrë tekstin e përditësuar të të ashtuquajturit plan franko-gjerman për normalizimin e marrëdhënieve.
“Versioni i fundit i tekstit është dërguar dje në Beograd dhe sot në Kosovë. Ato [Kosova dhe Serbia] duhet të angazhohen tani në një diskutim serioz, sepse ky është një moment, ku ka një mundësi të madhe”, tha Borrell.


