Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës ka reaguar pas kërcënimeve të deputetit të Vetëvendosjes, Haki Abazi ndaj mediumit Albanian Post dhe drejtorit të saj, Baton Haxhiu.
Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, AGK-ja ka thënë se janë thellësisht të shqetësuar nga ky kërcënim si dhe ftonë partinë e deputetit Abazi, që të distancohen nga gjuha kërcënuese e këtij të fundit.
Postimi i plotë:
Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës është thellësisht i shqetësuar për kërcënimin që deputeti i partisë politike në pushtet, Vetëvendosje, Haki Abazi ka bërë ndaj mediumit ‘Albanian Post’, dhe drejtorit të tij, Baton Haxhiu.
“Albanian Post” e ka publikuar audio-incizimin në të cilin Abazi dëgjohet duke kërcënuar mediumin për shkak të raportimit të mëhershëm për dështimin e procesit për emërimin e ambasadorëve të rinj të Kosovës.
Kërcënimi i hapur e me paramendim i deputetit ndaj gazetarëve është i papranueshëm dhe kontribuon në rrezikimin e sigurisë për kolegët tanë. Veprimi bëhet edhe më serioz për faktin që vjen nga një zyrtar i lartë i partisë që udhëheq me Qeverinë dhe Kuvendin e Kosovës.
AGK-ja e fton partinë e Abazit, sikurse edhe institucionet shtetërore të distancohen qartë nga gjuha kërcënuese e deputetit.