‘Hajn’, ‘Kriminel’, ‘Tradhtar’, janë disa nga fjalët që përdorin politikanët tanë për çdo mospajtim që kanë me njëri tjetrin.
Tensionet mes partive politike shpesh shëndrrohen në ofendime, ku politikanët nuk kursejnë fjalët për të mbrojtur vetën e tyre.
Afër zgjedhjeve, diskursi politik po ngrihet në nivele të ashpëra.
E një gjë të tillë njohësi i rrethanave politike, Arton Demhasaj, e konsideron të papranueshme, dhe gjuhë jo e duhur.
Sipas tij, kjo gjuhë e ashpër mes tyre ka ardhur sa partia në pushtet ka qenë dikur në vendin e opoztiës së tanishme.
“Në përgjithësi është gjuhë jo e duhur, sepse politikanët i referohen shumë lehtë me fjalë ofenduese , me kërcenime, ‘tradhtar’, ‘hajn’ ose ‘kriminel’, apo gjëra të tilla, që mendoj që janë të papërshtatshme dhe nuk duihet me ekzistu në fjalorin politik të partive politike e as liderët partiak. Por, megjithatë duke marrë parasysh kjo gjuhë ka fill në një farë mënyre dhe është instaluar në fjalorin politik nga ana e Vetëvendosjes në kohën sa ka qenë në opozitë, ku i’u ka referuar njerëzve ‘tradhtar’, ‘kriminel’ e ‘hajdut’ e gjëra të tilla, atëherë kjo buron si pasojë që ta përdorin partitë e tjera politike, sikur reaksion ndaj saj kanë filluar edhe këto me përdorë pak a shumë të njejtin fjalor për me u mbrojtë apo cilësimeve që VV i ka bë sa ka qenë në opozitë”, tha ai në një prononcim dhënë për GazetaBlic.
Të njejtë mendimin e ka edhe deputeti nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Hisen Berisha.
“Krejt kjo është instaluar nga qeveria në pushtet, që deputetet i ka shndërruar në makinëri vote, diletant lejfenist, pa identitet as integritet”, u shpreh ai në një prononcim dhënë për GazetaBlic.
Tutje, njohësi i çështjeve politike vlerëson se një fjalor i tillë më shumë pasurohet në kohën kur jemi afër zgjedhjeve, dhe sipas tij, arsyeja se pse përdoret ka qëllim përfitimin e votës.
“Gjithmonë fjalori rëndohet sa më afër zgjedhjeve që të afrohemi, individë të caktuar mendojnë që përmes një fjalori të tillë edhe mund të fitojnë vota. Por, unë nuk besoj që përdorimi i një fjalori të tillë shpeshherë pa fakte ose pa prova mundet me sjellë rritje të votës. Kështuqë, është e fikshme sa më afër zgjedhjeve që shkojmë normalisht që fjalori ka me ardh duke u intesifiku dhe duke u bërë më i rëndë dhe fjalët kanë me qenë më fyese, ndoshta edhe më ofenduese ndaj njëri tjetrit që kanë me i përdorë”, theksoi ai.
E, profesori universitar, Arben Fetoshi, në një përgjigje dhënë për GazetaBlic, tregon dy nga pasojat e këtij diskursi politik.
“Një diskurs i degraduar, me një gjuhë të papranueshme fyerjesh e akuzash ndaj rivalëve politikë, që ka për pasojë: e para, rritjen e polarizimit shoqëror dhe e dyta, rritjen e mosbesimit qytetar”, potencoi Fetoshi.
Por, profesori universitar e vlerëson se krahas dështimeve qeverisëse për të ofruar një perspektivë më të mirë në Kosovë, një gjuhë e tillë është një faktor ndikues në përmasat shqetësuese të emigrimit.
“Kur gjuha që përdorin politikanët nuk e reflekton përgjegjësinë e fjalës publike, kjo pashmangshëm e rrit polarizimin dhe konfliktin ndërmjet audiencave mbështetëse, që është jo vetëm e dëmshme për komunikimin publik por edhe me rrezik shoqëror, derisa jehona e këtij diskursi në nivelin e qytetarëve ka për pasojë rritjen e vazhdueshme të zhgënjimit dhe mosbesimit ndaj politikës. Krahas dështimeve qeverisëse për të ofruar një perspektivë më të mirë në Kosovë, komunikimi i degraduar inatçor e konfliktual në skenën politike është po ashtu një faktor ndikues në përmasat shqetësuese të emigrimit”, pohoi ai.
Ndërsa, Berisha shton se gjuha që përdoret nga deputetët në debatet parlamentare dhe në diskursin publik është një tregues i maturisë së tyre politike, profesionalizmit dhe respektit për institucionet demokratike.
“Kurse aktualisht, gjuha që përdoret nga deputetët në debatet parlamentare dhe në diskursin publik është një tregues i maturisë së tyre politike, profesionalizmit dhe respektit për institucionet demokratike. Në disa raste, sidomos në Kosovë dhe rajonin tonë, është evidentuar një prirje për përdorimin e një gjuhe konfliktuoze, shpesh të ashpër dhe të papërshtatshme për përfaqësuesit e zgjedhur të popullit. Kjo ka implikime dhe reflekton problematika që për fat të keq do të ishte e pranueshme sikur të ishte sporadike, por kjo legjislatur do mbahet mend për kultur e fjalor mediokrish, të pa thelluar në substacën e çështjeve”, tha ai.
Po ashtu, Berisha këtë gjuhë të deputetëve e quan të papërshtatshme, dhe sedëmton besimin e publikut tek institucionet.
“Në vend që të fokusohen në çështje dhe politika konkrete, deputetët shpesh e devijojnë debatin në sulme personale ose retorikë populiste, që degradon diskutimet dhe ul cilësinë e vendimmarrjes.
Përdorimi i gjuhës së pa përshtatshme në sallën e parlamentit, dëmton besimin e publikut tek institucionet”, nënvizoi ai.
Ndryshe, deputeti i PDK-së vlerëson se “Kuvendi duhet të jetë një shembull i kulturës së dialogut dhe debatit të hapur dhe të civilizuar. Gjuha konfliktuoze kontribuon në polarizimin politik dhe dobësimin e legjitimitetit institucional. Fatkeqësisht kjo gjuhë tashmë është doktrinë e veprimit politik të kësaj klase politike, me ketë gjuhë filetante lefeniste edhe kanë ndërtuar kauzat elektorale”.
/GazetaBlic/


