Opinionistja me banim në Gjermani, Vjollca Hajdari, e ka cilësuar si shumë të rëndësishme vizitën në Kosovë të ministrit gjerman të Mbrojtjes, Boris Pistorious.
“Natyrisht në radhë të parë është një hap shumë i rëndësishëm, luan një rol shumë të madh, nëse nisemi nga aspekti strategjik, në këtë kontekst, stabiliteti, paqja dhe siguria janë faktorët më kryesorë për momentin në vendin tonë, në Kosovë, por jo vetëm në Kosovë, dihet që ministri gjerman i Mbrojtjes do të vizitojë edhe Bosnjën, gjegjësisht Sarajevën he Beogradin, dhe do të bisedojë gjithashtu me Serbinë si njëri ndër aleatët kryesorë të Rusisë”, ka thënë Hajdari në Edicionin Special të Klan Kosovës.
“Pra, do t’ia drejtojë pak a shumë gishtin dhe do t’i japë vërejtje në lidhje me faktin që këtu të mos provokohet ndonjë ndezje e ndonjë konflikti”.
“Janë në radhë të parë mesazhe që bien në fushën e sigurisë. Kuptohet, jo vetëm për Kosovën por edhe për Serbinë si aleaten kryesore të Rusisë, sepse Gjermania si motori kryesor i Bashkimit Evropian e di që një kohë të gjatë, BE-ja e ka anashkaluar, e ka neglizhuar problemin e Ukrainës, prandaj kur Rusia bëri invazion në Ukrainë atëherë ishte pak a shumë tepër vonë, dhe kështu që Unioni Evropian ka mësuar nga ai leksion dhe tani është duke marrë pak a shumë masa preventive për të pasur kujdes që të mos provokohet një konflikt i ri në Ballkan, gjegjësisht mes Serbisë dhe Kosovës”.