Kryetari i degës së Partisë Demokratike të Kosovës në Drenas, Petrit Hajdari, ka reaguar përmes një deklarate publike, duke theksuar se koha po dëshmon drejtësinë e qëndrimeve të PDK-së dhe se partia mbetet e palëkundur në parimet e saj.
“Fjala është gjithçka në politikë. Nëse është e vërtetë, koha ia jep vulën, siç po ndodh me fjalët tona,” ka thënë Hajdari, duke shtuar se PDK është dhe mbetet adresa e vetme politike për anëtarët e saj.
Ai ka theksuar se kohët e fundit janë zbuluar qëndrimet e vërteta të individëve që, sipas tij, kanë përdorur partinë si trampolinë për pushtet.
“Maskat ranë dhe po qartësohet çdo ditë kush PDK-në e kishte dedikim e besim, e kush veç trampolinë pushteti. Nga britmat se jemi PDK, te thirrmat për thyerje kurrizi e drekat me pushtetin,” ka theksuar Hajdari.
Në fund të reagimit, ai ka theksuar se PDK-ja do të vazhdojë rrugën e saj me dinjitet dhe vendosmëri.
“Ne jemi PDK-ja dhe s’nënshtrohemi kurrë. Gënjeshtarëve e mashtruesve, udha e mbarë ju qoftë,” ka përfunduar Hajdari.


