Hykmete Bajrami, ditën e djeshme dha dorëheqje të parevookueshme nga posti i nënkryetares së LDK-së duke kërkuar edhe dorëheqjen e kreut të kësaj partie, Lumir Abdixhiku.
Por ndryshe nga Bajrami, dy ditë më parë, Abdixhiku kishte deklaruar se dorëheqjen e tij do t’ia dorëzojë Kuvendit të LDK-së dhe se janë ata që vendosin.
Në lidhje me këto zhillime nga kampi i LDK-së ka folur për “Gazeta Blic”, njohësja e zhvillimeve politike në vend, Fatime Hajdari.
Hajdari tha se ‘dinamika e orëve të fundit dëshmon se LDK po kalon një moment delikat dhe vendimtar për të ardhmen e saj’.
Ajo potencoi se dorëheqja e Bajramit ishte jo vetëm hapi i duhur por një akt i domosdoshëm reflektimi dhe sipas Hajdarit duhet të ndiqet edhe nga të tjerët që e kanë sjellë këtë rezultat të LDK-së në zgjedhjet e fundit.
“Dinamika e orëve të fundit dëshmon se LDK po kalon një moment delikat dhe vendimtar për të ardhmen e saj. Sigurisht, maturia kërkon që të presim edhe vendimet finale të organeve drejtuese të partisë, por situata nuk mund të kalojë pa një lexim të qartë politik. Në këtë kontekst, dorëheqja e parevokueshme e nënkryetares Bajrami ishte jo vetëm hapi i duhur, por një akt i domosdoshëm reflektimi, duke marrë parasysh peshën specifike të pozitës që ajo mbante. Ky veprim vendos një standard të ri moral brenda partisë, një shembull që, për mendimin tim, është dashur ta ndiqnin pa hezitim të gjithë ata që kanë pasur hise në vendimmarrje dhe në rezultatin e fundit” tha Hajdari për “Gazeta Blic”.
Analistja politike, Hajdari, tha se heshtja dhe zvarritja e përgjegjësisë nuk është zgjidhje.
Sipas saj për t’i hapur rrugë rimëkëmbjes në LDK duhet të merret përgjegjësia nga dikush për humbjen në zgjedhjen.
“Kjo situatë e rënduar ku gjendet sot LDK-ja nuk është aksidentale, ajo vjen kryesisht si pasojë e mosreflektimit me kohë nga aktorët përgjegjës. Heshtja apo zvarritja e përgjegjësisë nuk është zgjidhje. Për t’i hapur rrugë rimëkëmbjes, përgjegjësia nuk mund të jetë më kolektive dhe anonime, ajo duhet marrë nga dikush” tha Hajdari në përgjigjen e dhënë për “Gazeta Blic”.
/Gazeta Blic/


