Lajme

Hajdar Beqa: Jam në garë për të fituar interesat e qytetarëve!

12/19/2024 10:28
nga:G C

Deputeti i PDK-së, Hajdar Beqa, ka theksuar angazhimin e tij të palodhur për qytetarët e Kosovës, duke deklaruar se ka bërë një përfaqësim dinjitoz dhe ka qenë një zë aktiv në Kuvend, grupe punuese dhe komisione, raporton GazetaBlic.

Ai theksoi se çështjet që ka ngritur në seancat plenare kanë pasur si qëllim përmirësimin e jetës së qytetarëve, pavarësisht nga rajoni i tyre.

“Kam bërë përfaqësim dinjitoz, kam qenë përfaqësues i mirë i qytetarëve, kam punuar dhe kam qenë aktv në Kuvend, poashtu edhe në grupe punuese e komisione. Unë, kam ngritë shumë çështje në seancat plenare, pavarësisht cilit rajon të qytetarëve të Kosovës i takojnë, çështjet që i kam ngritur në Kuvend janë çështje që ia lehtësojnë jetën qytetarëve”, tha Beqa.

Beqa, i njohur për kontributin e tij gjatë Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, nënvizoi se ka qenë gjithmonë në vijën e parë të frontit dhe ka kushtuar jetën e tij për shërbim ndaj vendit dhe popullit.

Ai po ashtu shpjegoi se kandidimi i tij vjen si rezultat i kërkesës nga mbështetësit dhe ka për qëllim të shërbejë më tej interesave të qytetarëve të Kosovës.

“Unë tërë jetën time ia kam kushtuar publikut, vendit. Unë kam qenë njëri nga akterët kryesor të Ushtrisë Çlirimtare, duke qenë në vijë të parë të frontit si ushtar”, tha Beqa.

“Unë jam në këtë garë për t’iu shërbyer qytetarëve, por në të njëjtën kohë ky kandidim vjen me kërkesën e gjithë mbështetsëve të mi. Unë po garoj të fitojë, jo unë, por interesat e qytetarëve të vendit”, shton ai.