Shkruan: Arben Ahmeti
0Hashim Thaçi mund ta ketë pasur mbiemrin Veseli. Kësisoj ne do ta njihnim Hashim Veselin dhe Kadri Thaçin, ose Rexhep Krasniqin me Jakup Selimin. Nuk është larg mendsh që ndonjëri prej tyre mund ta ketë pasur emrin Albin, ose mbiemrin Konjufca.
Emrat dhe mbiemrat nuk janë fare të rëndësishëm. E rëndësishme është qenia e një procesi. Proces ku disa njerëz mbahen në një paraburgim që nuk është as burg e as qendër klasike e mbajtjes, dhe nuk e kanë të qartë se kush po i akuzon, për çka po i akuzon, dhe cila është logjika prapa këtij procesi.
Nuk dihet se kush i akuzon, sepse gjykata as nuk është e Kosovës dhe as nuk është ndërkombëtare. Nuk dihet për çka akuzohen sepse u thuhet që keni përgjegjësi për disa veprime të njerëzve që vështirë të kuptohet nëse këta i kanë njohur e lëre më takuar ndonjëherë.
Nuk ka logjikë sepse kur identiteti i gjykatës që është pika A, dhe përmbajtja e akuzës që është pika B, nuk kanë lidhje logjike, nuk ka se si të jetë e logjikshme pika C, e që është rezultati i procesit.
Andaj emrat nuk janë të rëndësishëm. Ata mund të jenë secili qytetar i botës. Sikur që ishte Jozef K tek Procesi i Kafkës.
Seanca parapërgaditore
Shiu dhe mungesa e diellit janë normale në qytetin e Hagës. Edhe qetësia e njerëzve që ecin në rutinën e përditshme të tyre.
Gjithçka e qetë, e ngadalshme, besa edhe e mërzitshme.
Ngadalë nisë edhe seanca e fundit parapërgaditore.
Secili prej pjesëmarrësve në proces është më i pispillosur se tjetri. Më i qetë se tjetri. Askujt nuk i ngutet.
Askush nuk ndjen kurrëfarë presioni.
Të vetmit në presion janë katër të akuzuarit. Burrat që nuk e ruajtën qetësinë nën regjimin e Millosheviqit dhe e luftuan atë në një përballje skajshmërisht të pabarabartë, por me vrull e me shumë energji, duhet tani ta ruajnë qetësinë para një gjykatore që u thotë se do të jenë të barabartë në këtë betejë. “Barazia e armëve” siç njihet në gjuhën juridike i një procesi që në pamjen e parë shfaqet qetë, ngadalshëm dhe mërzitshëm. Për të akuzuarit sidomos.
Duket se Thaçi, Veseli, Selimi e Krasniqi e kanë kuptuar, andaj edhe ata shfaqen të qetë. Aq komod sa nuk vijnë fare në gjykatore. E përcjellin online nga qendra e mbajtjes. As unë dhe Fidani nuk hyjmë në gjykatore. Të ngadalshëm, të vonshëm e të qetë ishim edhe ne.
A është e Kosovës?!
Me 3 mars bëmë kërkesën që t’i takojmë edhe të paraburgosurit. Qëllimi i vizitës sonë mbetej seanca parapërgaditore. Kishim synim të merrnim pjesë në një seancë për të kuptuar ndjenjën se çfarë na pret nga 3 prilli kur të nisin seancat e rregullta.
Andaj takimi me të akuzuarit duhet të ishte në datat para ose pas seancës.
Gjykata që është e Kosovës, dhe që gjuhën shqipe presupozohet ta ketë zyrtare, na kërkon pas disa ditësh që formularin e kërkesës për takim ta plotësojmë edhe në gjuhën angleze. Hera e parë që një vizitori i kërkohet diçka e tillë.
Kërkesë simpatike por që doli pastaj absurde dhe pengesë për t’i takuar të paraburgosurit. Kur u’a përcollëm kërkesën në gjuhën angleze, ofruam të njëjtat arsye për vizitën dhe të njëjtat data. Përgjigja na u kthye se duhet ndryshuar data sepse nuk ishte respektuar afati që kërkesa të bëhej 15 ditë para vizitës.
Pra gjykata që është e Kosovës, e kishte shpalllur të pavlefshme një kërkesë në gjuhën shqipe, vetëm sepse ishte e shkruar shqip. Nuk e besoj që gjykata e ka pasur problem gjuhën shqipe. Sidoqoftë, besoj që qëllimi ishte të pamundësohet vizita. Nuk i duan gazetarët afër gjykatës dhe brenda saj kur ka seanca. E prishin qetësinë, ngadalësinë e atij sistemi që frymon në kurriz të Kosovës. Edhe krijojmë presion. Ia humbim kuptimin procesit. Ia humbim hijeshinë kafkiane. Besoj se do të duhej të jetë kështu.
Qetësia që nuk i duhet procesit
Nuk ka diplomatë që nuk vlerëson se ajo që ka ndodhur me aktakuzën është e çuditshme dhe gabim. Dy fytyrat kryesore të shpalljes së pavarësisë, dhe njerëzit më reprezentativë të rezistencës që solli lirinë, po mbahen në një proces ku nuk u garantohet as e drejta mininale e efikasitetit të procesit.
Heshtja e deritanishme ndaj kësaj padrejtësie është absurde. Hesht qeveria, hesht presidenca, hesht parlamenti dhe shoqëria civile. Kjo gjendje nuk i ndihmon askujt. As gjykatës. As vetë prokurorit të specializuar. Andaj secili duhet të marrë pjesë në marshet e paralajmëruara. Qoftë në atë në Prishtinë me 2 Prill, apo në tjetrin në Hagë me datën 3. Marshe do të duhej të kishte gjithandej.
Sepse marshimi në mbështetje të tyre nuk nënkupton që nesër do ta votosh Hashim Thaçin e Kadri Veselin në PDK, Rexhep Selimin në VV apo Jakup Krasniqin në Nisma. Sepse emrat janë të rastësishëm. Ata mund të jenë secili qytetar i botës së lirë. Sikur tek një prej veprave më të njohura të letwrsisw gjermane të absurdit tek Procesi i Kafkës.
Edhe Gjykata Speciale një ditë do të dalë vepër e absurdit. Nuk e di nëse do të vlerësohet si vepër gjermane, amerikane, evropiane apo ruse. Do të jetë fare pak e rëndësishme.