Sporti

Hadërgjonaj: Duam ta fitojmë grupin në Ligën e Kombeve, në vitin 2022 do t’i kthehemi rezultateve pozitive me kombëtaren

01/01/2022 17:14
nga:Lorik J

Florent Hadërgjonaj, mbrojtësi i kombëtares së Kosovës dhe ekipit turk, Kasimpasa ka pasur vazhdimësi me paraqitje në vitin 2021 dhe shprehet i lumtur për këtë gjë.

Si tek Kosova, ashtu edhe tek klubi i tij në Superligën turke, Hadërgjonaj ka qenë titullar dhe ka zhvilluar paraqitje të mira.

Ai beson se me skuadrën e tij do të këndellen në vitin 2022, teksa shpreson se viti 2021 mund të ishte edhe më i mirë si për të, ashtu edhe për klubin.

“Po, është e saktë që kam bërë disa lojëra në këtë vit dhe besoj që ka mujtë me qenë më mirë se për momentin nuk jemi në formën ideale si ekip te Kasimpasa, por shpresojë që tash në vitin e ri do të ndryshohet”, tha fillimisht Florent Hadërgjonaj për ‘GazetaBlic Sport’.

Gjithashtu, Hadërgjonaj pret që në vitin 2022, kombëtarja e Kosovës të kthehet tek rezultatet pozitive të njëpasnjëshme, pasi në vitin që e lamë pas sipas tij nuk kishim shumë rezultate të favorshme,

“I kemi pasur disa probleme në kombëtare dhe nuk kemi pasur rezultati qysh kemi pas deshirë ne lojtarët, por kjo është normale në futboll – kështu që besoj se do të rikthehemi më të fortë në vitin e ardhshëm”, vazhdoi Hadërgjonaj.

Në dhjetor të vitit 2021 në Nyon të Zvicrës, Dardanët kanë mësuar kundërshtarët në Ligën e Kombeve, ku janë përfshirë në Grupin 2 të Ligës C, ku do të ballafaqohen me Greqinë,  Irlandën e Veriut, si dhe fituesin e ndeshjes Qipro-Estoni.

Hadërgjonaj thotë se dëshira e grupit dhe lojtarëve është që ta fitojnë këtë grup.

“Dëshira jo vetëm tek ne lojtarët, por besoj që e krejtë popullit kosovar është që të fitojmë këtë grup në Ligën e Kombeve, shansat janë të mira, e dimë këtë por edhe i lehtë nuk është grupi, por ne do ta japim maksimumin per me dal fitues në këtë grup”, përfundoi ai.

/GazetaBlic Sport/