Sporti

Haaland: Nuk jemi të pathyeshëm, por e fitojmë Ligën e Kampionëve

05/26/2023 19:55
nga:Mergim Rreci

Erling Haaland shpreson dhe beson te fitimi i Champions League, trofe që ai dhe Manchester City nuk e kanë fituar kurrë më parë.

Skuadra angleze do të përballet me Interin në finalen e madhe të Stambollit (10 qershor), përballje ku City niset si favorit.

Por, finalet janë finale dhe bomberi norvegjez e di mirë se zikaltrit e Simone Inzaghit nuk duhen nënvlerësuar aspak.

“Ne besojmë te fitimi i Champions League. Do të bëjmë gjithçka për të realizuar ëndrrën tonë. Ne nuk ndihemi të pathyeshëm, por skuadra ime është e mbushur me lojtarë të rëndësishëm.

Pastaj është Pep Guardiola. Për mua është nder të stërvitem prej tij. Ai na i bën gjërat shumë të thjeshta dhe gjithmonë ia dalim të zhvillojmë një futboll të bukur”, u shpreh Haaland.

22-vjeçari po shkëlqen në sezonin e parë në ishull. Haaland kryeson renditjen e golashënuesve në Premier League (36 gola), teksa gjatë këtij edicioni ka realizuar plot 52 gola deri tani në të gjithë kompeticionet.