Miratimi i Ligjit për KPM-në nga Kuvendi i Kosovës, ka nxitur reagimin edhe të Ricardo Gutierrez, sekretar i përgjithshëm i Federatës Evropiane të Gazetarëve (EFJ).
Gutierrez e ka quajtur ditë të zezë për lirinë e mediave, miratimin e këtij Ligji, i cili mes tjerash parasheh licencimin e mediave online, monitorimin e tyre dhe gjoba deri në 40 mijë euro.
Ai këto komente i bëri një reagim në “X”.
“Kosovë: Parlamenti sapo miratoi ligjin për media (Ligji për Komisionin e Pavarur të Mediave) pavarësisht këshillave nga KiE, BE, OSBE dhe Federata Evropiane e Gazetarëve për të mos bërë kështu. Sot është një ditë e zezë për Lirinë e Medias dhe Demokracinë në Kosovë. Partitë politike opozitare bojkotuan seancën”, ka shkruar Gutierrez.
Ligji u miratua në lexim të dytë me 59 vota për, asnjë kundër dhe dy abstenime.