Sporti

Guler e falënderon Ancelottin, beson se do të përmirësohet

01/11/2024 11:08
nga:E K

Arda Guler ka nisur të marrë frymë lirshëm pas lëndimeve të njëpasnjëshme që ia shtynë debutimin në fanellën e Real Madridit.

Talenti turk luajti në ndeshjet e fundit me “Los Blancos” dhe është mjaft i lumtur për këtë.

Ish-futbollisti i Fenerbahçes e ka falënderuar trajnerin Carlo Ancelotti për besimin që po e shfaq ndaj tij, ndërsa beson se dita-ditës do të përmirësohet me vazhdimësinë që do t’i jepet nga trajneri italian.

“Isha i lënduar për 5 apo 6 muaj. U riktheva nga lëndimi dhe trajneri menjëherë më vendosi në skuadër dhe ma dha mundësinë të luaja”, deklaroi Guler pas ndeshjes gjysmëfinale të Superkupës së Spanjës ku Reali e mposhti Atletico Madridin me rezultat 5:3 pas vazhdimeve.

“Ai (Ancelotti) në mënyrë konstante ma shfaq dhe ma tregon edhe gojarisht besimin që e ka në mua. Shpresoj që, nëse vazhdoj kështu, gjithçka do të jetë më mirë”, vazhdoi përfaqësuesi i ri turk.

Guler luajti nga fillimi në Kupën e Spanjës në fundjavën e shkuar, ndërsa mbrëmë në duel me “Los Colchoneros” u inkuadrua në lojë në minutën e 112-të për t’i pasur disa minuta në këmbët e tij.