Sporti

Guardiola: Arsenali dhe Liverpool do të luftojnë për titullin deri në fund

10/07/2023 10:51
nga:Mergim Rreci

Trajneri spanjoll Pep Guardiola ka dhënë një intervistë në vigjilje të sfidës midis Manchester City-t dhe Arsenalit duke analizuar gjendjen e ekipi të tij para ndeshjes.

Trajneri i “Qytetarëve” sqaroi edhe situatën e mesfushorit Kevin de Bruyne, i cili aktualisht vuan nga një dëmtim dhe nuk është në dispozicion të ekipit: “De Bruyne po përmirësohet dita-ditës. E shoh çdo ditë në stërvitje, do të kthehet shumë shpejt. Stones do të luajë për Anglinë, ndërsa për ne nuk është gati, i duhet edhe pak kohë”.

Ish-trajneri i Bayernit dhe Barcelonës, foli edhe për objektivat e skuadrës këtë vit, duke u ndalur edhe tek Championsi.

“Në këtë fazë të sezonit, Championsi merr rëndësinë kryesore. Më pas përqendrimi kalon në Premier League. Megjithatë sfida si kjo ndaj Arsenalit kërkojnë impenjim maksimal dhe përqendrim të lartë. Ata janë një ekip i konsoliduar, mendoj se bashkë me Liverpool do të luftojnë për titullin deri në fund”-tha Guardiola.

Manchester City do të udhëtojë në transfertën e Londrës këtë të dielë për t’u përballur me Arsenalin, në atë që konsiderohet si një sfidë direkte për titullin kampion. Të dyja ekipet vijnë në këtë sfidë pas impenjimeve Europiane, aty ku “Qytetarët” mposhtën Leipzigun me rezultatin 1-3 në transfertë, ndërsa “Topçinjtë” u mundën 2-1 në fushën e Lens.