Grupi Ndërkombëtar i Krizave (ICG), në një raport të publikuar të martën, renditi disa pika që konstatoi se për të lehtësuar një dinamikë më të mirë ndërmjet Kosovës dhe popullsisë së saj serbe, mes tjerash BE-ja duhet të punojë për të siguruar që të plotësohen nevojat e pakicës serbe veriore të Kosovës, veçanërisht në punësim, kujdes shëndetësor dhe shkollim.
“Nëse kjo nuk mund të bëhet brenda kornizës për autonomi të pjesshme që ka qenë në diskutim për komunat me shumicë serbe (të cilat serbët i quajnë “komunitet” dhe kosovarët “asociacion”), atëherë BE-ja dhe shtetet anëtare duhet t’i bëjnë presion palëve që të zhvillojnë mënyra alternative për të arritur të njëjtin qëllim”, thuhet në raportin e ICG-së.
Tutje theksohet se duhet t’i bëhet presion Serbisë që të bashkëpunojë plotësisht në përpjekjet, duke përfshirë ato të KFOR-it, forcës paqeruajtëse të udhëhequr nga NATO-ja në Kosovë, për të mbyllur kufirin ndaj kontrabandës së armëve dhe për të gjetur armët e rënda që i ka furnizuar paraushtarakët serbë të Kosovës.