Deputeti i PDK-së, Përparim Gruda, ka reaguar pas protestës në Prishtinë, duke akuzuar pushtetin e Vetëvendosjes për, siç e quan ai, “dhunë brutale policore” ndaj protestuesve, raporton GazetaBlic.
Gruda ka kritikuar institucionet për mungesë të mbështetjes ndaj UÇK-së dhe ka deklaruar se ligjit për mbrojtjen e UÇK-së, sipas tij, “nuk i iket” dhe se ai do të miratohet.
Reagimi i plotë:
Mbrëmë pamë fytyrën e vërtetë të pushtetit të VV-së: dhunë brutale policore në sheshin e Prishtinës ndaj qytetarëve që dolën për të kërkuar miratimin e një ligji për mbrojtjen e UÇK-së.
Cili popull i lirë evropian do ta duronte këtë?
Shteti ikën nga përgjegjësia për ta mbështetur dhe mbrojtur UÇK-në në gjyq, ndërsa policia ushtron dhunë ndaj qytetarëve që protestojnë për miratimin e ligjit.
Por ligjit nuk keni ku t’i ikni. S’keni rrugë tjetër, ai do të miratohet!


