Donjeta Dragusha është gruaja e parë që udhëheq një degë të një partie.
Ajo është kryetare e Degës së I-rë të LDK-së në Kodrën e Trimave në Prishtinë.
Krahas kësaj, ajo po ashtu është drejtoreshë e zhvillimit rural në Komunën e Prishtinës.
Tani ajo synon një ulëse në Kuvendin e Kosovës, derisa në zgjedhjet e 9 shkurtit garon me numër 42 në listën e LDK-së.
Në një intervistë për Gazeta Blic, ajo ka treguar se angazhimin në LDK e ka nisur si 16 vjeçare.
“Angazhimin tim në degën e I-rë të LDK-së në Prishtinë e kam filluar në moshën 16 vjeçare, ku kam filluar nga strukturat fillestar, nëndega, forum të rinisë dhe tani dega. LDK dhe kjo degë për mua janë si një familje e madhe që jam rritur dhe zhvilluar politik. Sigurisht që angazhimi politik është i vështirë e sidomos për gratë sepse ne bartim barrën kryesore të obligimeve familjare dhe në vendin tonë ende gruaja ka një rol më tradicional dhe kërkon angazhim më të madh për t’u dëgjuar dhe për të dalë në pah në mesin e shumë burrave”, ka thënë ajo.
Dragusha ka folur për sfidat e të qenit kryetare e kësaj dege të LDK-së.
“Dega e I-rë ka specifika të veçanta, për mua është përgjegjësi e madhe për disa arsye. LDK në këtë dega ka korrur zakonisht rezultate shumë të larta, prandaj është barrë që ta mbajmë dhe ta ngrisim këtë rezultat, pastaj ka një shtrirje strukturore dhe territoriale të veçantë ku përfshihet një lagje ikonike më të vështira për vendin siç është Kodra e Trimave. Sfidat dhe angazhimin e bën më të lehtë përkrahja nga kryesia, kryetarët e nëndegëve dhe sigurisht përkrahja e kryetarit Abdixhiku. Mua më bëhet shumë qejfi që LDK çdoherë e më shumë po u jep haprësirë grave. Në listën e kandidatëve për deputetë nga Prishtinë, 50 për qind janë gra”, është shprehur ajo.
Duke qenë pjesë e ekzekutivit në Kryeqytet, Dragusha ka folur për punën e kryetarit Përparim Rama.
“LDK në Prishtinë, kryetari Rama dhe ekipi i tij kanë bërë punë të jashtëzakonshme në kryeqytet, pavarësisht bllokadave që i kemi pasur nga niveli qendror dhe ku kryeqyteti nuk është kursyer në asnjë hap. I kisha përmendur disa projekte infrastrukturore siç është rruga A që po ndërtohet që po krijon një lagje të re në zgjerim të kryeqytetit, pastaj reformën në arsim, reforma në transportin publik, ndërtimi i parqeve, ndriçimi publik smart dhe shumë projekte”, ka theksuar ajo për Gazeta Blic.
Po ashtu, ajo ka folur për ndryshimet që ka bërë në fushën e bujqësisë, si drejtoreshë e zhvillimit rural në kryeqytet.
“Jam shumë e lumtur që këtë vit për herë të parë kemi arritur të përkrahim rekord të numrit të fermerëve, diku 620 fermerë në forma të ndryshme. Për herë të parë kemi shpërndarë numër të jashtëzakonshëm të serrave që ka qenë kërkesë ndër vite, 91 serra të shpërndara, pastaj kemi përkrahur 176 fermerë me mekanizma të ndryshëm bujqësor, kemi pasur dhe përfundimin edhe procesin që kishte 10 vite pa u përfunduar, dhënia e vendgjuetive të kryeqytetit, ku kemi mënjanuar një kaos dhe kemi ruajtur faunën e egër në kryeqytet. Përpos këtyre, kemi subvencionuar ujitjen e 200 hektarëve tokave të punueshme me kultura bujqësore, kemi bërë vaksinimin e mbi 10 mijë kafshëve shtëpiake. Ajo që më bën më shumti të kënaqur me punën gjatë këtij viti në këtë drejtori është se kemi arritur të hartojmë një strategji për agroturizëm për 5 vitet e ardhshme dhe një masterplan për zonën e Gollakut”, ka potencuar Donjeta Dragusha./Gazeta Blic/