Lajme

Gruaja e Azem Hajdarit tregon si e përjetoi ai lajmin për vdekjen e Adem Jasharit

05/27/2023 22:50
nga:Astrit Gashi

Në emisionin “FAKTE me Adnan MEROVCIN” në Klan Kosova, është transmetuar për herë të parë intervista e realizuar para disa vitesh e Fatmira Hajdarit, gruaja e martirit të demokracisë Azem Hajdari, i cili ishte një prej personazheve më të rëndësishëm të viteve të para të pluralizmit në Shqipëri, i cili rreth 25 vjet më parë, më 12 shtator 1998, u ekzekutua.

Azem Hajdari fizikisht ishte në Shqipëri, por shpirtërisht gjithmonë me Kosovën, tha gruaja dhe njerëzit e afërt të tij.

Qysh me fillimin e luftës në Kosovë, ai ishte gjithmonë aktiv dhe në kontakte me krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

“Azemi ishte fizikisht në Shqipëri, por shpirtërisht ishte në Kosovë, në çdo kohë, në çdo moment, natën, ditën, nuk e zinte gjumi, komunikime natën. Janë ca gjëra që burrat nuk ua tregojnë gruas, por unë e di që ka pasur komunikime me luftën, se kush kanë qenë, cilët kanë qenë ata vetë e dinë dhe u jepte mendime, shpjegime, flisnin me orë të tëra. Azemi edhe pse s’ka marrë pjesë me armë, por me shpirt e më anë të tjera, mendore, fizike, energjie ka qenë bashkë me luftën në Kosovë”, u shpreh ajo.

Gjithashtu, Fatmira tregoi se Azemi dhe komandanti Adem Jashari ishin takuar dhe se të dy kishin krijuar lidhje shpirtërore.