Euro2024

Griezmann: Ne kemi ardhur në Gjermani për të fituar Europianin

06/21/2024 17:08
nga:Mergim Rreci

Antoine Griezmann, një nga lojtarët më të mirë të kombëtares franceze – njëkohësisht edhe zv. kapiten – ka reaguar pas kritikave për lojë të dobët dhe të vakët.

“Gjelat” janë në letër skuadra më e fortë e Europianit, ndërkohë që skuadra e Didier Deschamps fitoi 1-0 përballë Austrisë në duelin debutues në grupin D. Ku pati edhe fatin me vete.

Përpara klasikes së mbrëmjes kundër Holandës në “Red Bull Arena” të Leipzigut, sulmuesi i Atletico Madrid në La Liga u shpreh se rëndësi ka fitorja dhe jo loja e bukur.

“E dëgjoj shpesh akuzën që jemi të mërzitshëm, por ka ndeshje ku duhet të shfaqemi të fortë në mbrojtje për të mos u lejuar hapësira kundërshtarëve. Siç ndodhi kundër Austrisë.

Jam shumë i kënaqur me reagimin dhe përgjigjen e skuadrës. Unë tentoj të lexoj mirë ndeshjen dhe të rris ritmin kur është e nevojshme. Sigurisht kur kam topin në këmbë.

E pranoj që preka pak topa ndaj Austrisë. U përpoqa të isha ura lidhëse mes mesfushës dhe sulmit, por nuk mund ta them se luajta shumë mirë…

Gjithsesi, fitorja është ajo që ka rëndësi. Ne kemi ardhur në Gjermani për të fituar Europianin”, deklaroi Antoine Griezmann.