Lajme

Grevistët pa paga, Abdixhiku: Kurti kërkon tensione, është njeri i vogël i zymtësisë, politikan i paaftësisë

10/03/2022 18:04
nga:Genita C

Kreu i LDK-së, Lumir Abdixhiku ka ‘shpërthyer’ në kritika ndaj kryeministrit Kurti, pasi grevistët nuk do të paguhen, raporton GazetaBlic.

Abdixhiku thotë se, Albin Kurti nuk mundet të jetëojë pa krizë dhe kjo sipas tij është arsyeja që po dënon mësimdhënësit e Kosovës.

Me këtë vendim, sipas Abdixhikut, Kurti u tregua njeri i vogël.

Abdixhiku në emër të LDK-së zotohet se këto paga do të paguhen herët apo vonë.

Shkrimi i plotë:

Në vend të qetësimit e përafrimit, Albin Kurti kërkon tension. Ai s’mund të jetojë pa krizë prandaj dhe dënon mësimdhënësit e vendit. Është njeri i zymtësisë, arrogancës e i ndjelljes së frikës. Është politikan i paaftësisë. Si i tillë, është gjithçka përveçse kryeministër. Sot u tregua dhe njeri i vogël.

Në prag të dimrit të vështirë, në vazhdimësi të papërballueshmërisë, në stagnim ekonomik e në ikje masive – ai vendosi t’i tregoj dhëmbët. Dhe për kë? Për mësimdhënësit e vendit – shtresën më të goditur nga kriza.

Mashtrimi popullist s’duket ndryshe. Dje ishte shfrytëzues i kauzave të tyre, sot është bërë dënues kolektiv në mes të krizave.

Mësimdhënësit e vendit, ata që u bënë tabelë qitjeje nga ushtritë digjitale të pushtetit, ta kuptojnë se Qeveritë janë të përkohshme por shteti mbetet i përhershëm. Këto paga do tu paguhen – herët apo vonë. S’ka forcë që ju merr të drejtën mbi to; merreni këtë si zotim publik timin dhe të LDK-së.

Deri atëherë, ne do të bëjmë çdo përpjekje të mundshme, të detyrojmë pushtetin mashtrues të ekzekutojë pagesat.