Sindikatat janë të vendosura të vazhdojnë grevën derisa të gjendet një kompromis ndërmjet Qeverisë dhe sindikalistëve. Anëtarja e Këshillit Grevist, Vjollca Shala, ka bërë të ditur për Radio Kosovën se takimet me anëtarësinë e BSPK-së po vazhdojnë, ndërsa nga Qeveria ende nuk ka lëvizje për të dalë nga kjo situatë.
Sindikalistët kanë deklaruar se greva do të vazhdojë, ndërsa kanë shprehur gatishmërinë që të dialogojnë me qeverinë për të arritur një marrëveshje të përbashkët. Për sa u përket kompromiseve të tjera ndërmjet qeverisë dhe sindikatave, përveç pakos prej 50 eurove nga ana e Qeverisë, anëtarja e Këshillit Grevist, Vjollca Shala, tha për Radio Kosovën se duhet të marrin edhe mendimin e anëtarësisë për të marrë një vendim.
“Ne duhet që paraprakisht të bisedojmë me anëtarësinë tonë dhe me bazën dhe varësisht se çfarë thonë ata, ne jemi zëri i tyre dhe ne do të themi atë se çfarë thonë mësimdhënësit nga baza. Por, jemi në çdo moment që të negociojmë dhe të arrijmë kompromis, e të arrijmë një zgjidhje me Qeverinë e Kosovës. Ne nuk kishim si ta pranojmë atë marrëveshje atë ditë, në takim me kryeministrin, pasi ajo ofertë ishte bërë publike një javë më herët përmes medieve. Ne ishim konsultuar me anëtarësinë dhe anëtarësia nuk e pati pranuar një ofertë të tillë”, tha Shala.
Ekspertët kanë propozuar që Qeveria të paktën të rriste ofertën për 30 euro, në mënyrë që të zhbllokohet procesi mësimor dhe sektori i administratës publike. Njohësi i çështjeve të arsimit, Jonuz Salihaj, ka thënë për Radio Kosovën, se për këtë duhet të gjendet sa më shpejt një kompromis ndërmjet palëve.
“Nuk ka asgjë më të dobishme se sa të zgjidhet kjo situatë në dobi të 320 mijë fëmijëve e mbi 20 mijë mësimdhënësve, në mënyrë që të fillojë viti shkollor. Kjo po i sjell dëme të mëdha dhe të pariparueshme Kosovës. Duhet të gjendet një zgjidhje, nuk është mirë që çdo shtator të sfidohemi me fillimin e vitit shkollor. Gjithmonë kemi një problem dhe këtu është faji te Ligji i Pagave, pasi nuk është konsideruar si prioritet. Po të miratohej ky Ligj në muajin mars, nuk do ta kishim këtë situatë”, tha Salihaj.
Ndërkohë, në disa shkolla të vendit ka filluar procesi mësimor dhe shpërndarja e librave. Por, prindërit që kanë fëmijët në institucionet parashkollore, kanë vështirësi në marrëdhëniet e tyre të punës.
“Si nënë është shumë e vështirë t’ia dalë në rrethana të tilla, aq më tepër kur të dy prindërit janë në punë. Përveç mllefit që e kemi në kuptimin që fëmijët po mbesin prapa, kjo po ndikon në të gjitha dinamikat e familjes sonë. Është e pamundur që të marrim shumë ditë pushim vjetor derisa të zgjidhen këto probleme. Më shumë po e pësojnë fëmijët tanë që po u dëmtohet e ardhmja e tyre”, tha një prind.
Greva e përgjithshme në administratë publike dhe arsim ka nisur më 25 gusht. Ndërsa, kërkesat e sindikalistëve janë: ndarja e 100 eurove për të gjithë punëtorët e sektorit publik deri në hyrjen në fuqi të Ligjit për Paga, nisjen e zbatimit të Ligjit për Sigurimet Shëndetësore, si dhe plotësim-ndryshimi i Ligjit për Skemat Pensionale të Financuara nga Shteti.