Lajme

Greva dyorëshe: Kërkohet mbrojtje e mësimdhënësve dhe garantim i rendit në shkolla

02/10/2026 08:56
nga:Genita C

Shoqata Sindikale e ShFMU “Pavarësia”, Këshilli Drejtues i Shkollës dhe Këshilli i Prindërve janë duke zhvilluar një grevë dyorëshe për të reaguar kundër veprimeve delikuente të nxënësve në procesin edukativo-arsimor, duke përfshirë dhunën fizike, fyerjet, ofendimet dhe sharjet ndaj mësimdhënësve.

Kjo erdhi pas një incidenti në këtë shkollë gjatë ditës së hënë, ku një mësimdhënës u incizua duke ushtruar dhunë ndaj një nxënësi, megjithatë, sipas psikologut të “Pavarësisë”, ishin rreth 10 nxënës që kishin rrethuar arsimtarin dhe e kishin sharë e ofenduar.

Kolegët e këtij mësimdhënësi, para mediave dhanë mesazhin e tyre, dhe kërkuan masa konkrete për mbrojtjen ndaj tyre dhe garantim të rendit në institucionet arsimore.

“Kërkojmë masa konkrete, të qarta dhe të zbatueshme për mbrojtjen e mësimdhënësve dhe garantimin e rendit në institucionet arsimore. Mesazhi ynë është i qartë, jemi kundër dhunës, jemi për rend, disiplinë dhe respekt në shkollë”, tha njëri nga kolegët e mësimdhënësit që u ndalua për 48-orë për dhunë ndaj një nxënësi.