Lajme

Greqia po bllokon sanksionet e BE’së ndaj Rusisë për shkak të pazareve me gaz LNG

07/21/2026 12:27
nga:L J

Pako e re e sanksioneve të Brukselit kundër Rusisë ka hasur në rezistencë të fortë nga Greqia. Euronews shqyrton mënyrat se si mund të zgjidhet ngërçi.

Greqia po bllokon raundin më të fundit të sanksioneve të Bashkimit Evropian kundër Rusisë për shkak të ndalimit të gazit natyror të lëngshëm (LNG), i cili është paraparë të hyjë plotësisht në fuqi në vitin 2027.

Ndalimi, i miratuar vitin e kaluar, do të ndalojë “blerjen, importin ose transferimin, drejtpërdrejt ose tërthorazi,” të LNG-së që “e ka origjinën në Rusi ose eksportohet nga Rusia”. Por Greqia, e cila ka flotën më të madhe tregtare detare në botë, kërkon që teksti ligjor të rishikohet, në mënyrë që transporti i LNG-së ruse të mund të vazhdojë edhe pas hyrjes në fuqi të ndalimit.

Përfituesi kryesor do të ishte Dynagas, një kompani e specializuar në transport detar në temperatura nën zero dhe në pronësi të miliarderit grek George Prokopiou. Dynagas dhe kompania e saj kanë marrë me qira 11 anije, përfshirë shtatë akullthyese rezistente ndaj kushteve të Arktikut, për terminalin më të madh rus të gazit, Yamal LNG.

Qeveria greke dhe Dynagas argumentojnë se ndalimi i transportit të LNG-së ruse do ta dëmtojë industrinë europiane të transportit detar, do të shkatërrojë vende pune, do t’u japë përparësi konkurrentëve të huaj dhe, në fund, nuk do ta dobësojë arkën financiare të luftës së Moskës.

Ndërsa mosmarrëveshja vazhdon, Euroneës shqyrton tre mënyra të mundshme për të zhbllokuar situatën.

Opsioni 1: Të pritet derisa Greqia ta tërheqë veton

Frustrimi i pjesës tjetër të BE-së ndaj Greqisë është i dukshëm. Shtetet e tjera anëtare janë të habitura nga përpjekja e papritur për të rihapur një vendim që ishte miratuar njëzëri në tetor dhe që nuk lidhet me paketën aktuale të sanksioneve.

Diplomatët druhen se rihapja e tekstit ligjor mund të krijojë një precedent të rrezikshëm, duke nxitur kërkesa të ngjashme nga shtete të tjera dhe duke dobësuar sanksionet nga brenda.

Edhe Komisioni Europian, i cili vitin e kaluar e kishte cilësuar ndalimin e LNG-së si një hap të rëndësishëm në fushatën e presionit ndaj Rusisë, po mban qëndrim të palëkundur.

“Ndalimi është në fuqi dhe mbetet në fuqi”, tha të hënën një zëdhënës i Komisionit.

Zgjidhja e preferuar është të vazhdohet me presionin ndaj Athinës derisa ajo të heqë dorë nga vetoja. Nuk do të ishte hera e parë që një shtet anëtar, duke u ndier gjithnjë e më i izoluar, vendos se nuk ia vlen të vazhdojë betejën i vetëm.

Për të lehtësuar një kompromis, Komisioni Europian po përgatit një analizë ekonomike për t’iu kundërvënë argumenteve të Greqisë dhe për të treguar se ndalimi i transportit të LNG-së do të kishte, në fakt, ndikim negativ në ekonominë e luftës së Rusisë.

Opsioni 2: Shtyrja e ndalimit (përkohësisht)

Nëse Greqia vazhdon të rezistojë, shtetet anëtare do të detyrohen të ofrojnë një kompromis, siç kanë bërë edhe në të kaluarën kur pengesat kanë rezultuar të pakapërcyeshme.

Aktualisht, ndalimi i importit dhe transportit të LNG-së ruse pritet të hyjë plotësisht në fuqi më 1 janar 2027. Si zgjidhje e ndërmjetme, vendet mund të bien dakord që hyrja në fuqi e ndalimit të transportit të shtyhet për një periudhë të shkurtër, ndërsa ndalimi i importit të mbetet i pandryshuar.

Importet janë elementi kryesor, pasi i sigurojnë Moskës të ardhura të drejtpërdrejta. Blerjet e BE-së nga terminali Yamal arritën pothuajse 6 miliardë euro në gjysmën e parë të këtij viti. Gjatë kësaj periudhe u regjistruan 136 ngarkesa me gjithsej 9.97 milionë tonë metrikë, një rekord për këtë periudhë.

Një shtyrje do t’i jepte Dynagas më shumë kohë për t’u përgatitur për heqjen graduale të aktivitetit dhe do t’i mundësonte Greqisë të ruante fytyrën, të hiqte veton dhe të miratonte paketën e re të sanksioneve.

Megjithatë, në praktikë kjo vetëm do ta shtynte problemin për më vonë dhe Brukseli mund të përballej sërish me të njëjtin ngërç.

“Greqia nuk po fiton shumë simpati për momentin,” tha një diplomat i lartë.

Opsioni 3: Dhënia e një përjashtimi

Hapi më kontrovers do të ishte ndryshimi i tekstit ligjor dhe heqja e dispozitës që ndalon transportin e LNG-së ruse.

Ky është opsioni i preferuar i Athinës: një përjashtim i posaçëm që do të lejonte pa afat transportin e LNG-së ruse drejt klientëve jashtë BE-së. Destinacioni më i mundshëm do të ishte Azia.

Sipas faqes së saj zyrtare, Dynagas ofron anije transportuese të LNG-së që mund të lundrojnë përmes Rrugës Detare Veriore, e cila kalon nëpër Arktik dhe ngushticën e Beringut për të arritur në Japoni dhe Kinën kontinentale. Kjo rrugë është dukshëm më e shkurtër sesa itinerari më i sigurt që kalon përmes Detit Mesdhe, Kanalit të Suezit dhe Oqeanit Indian.

Megjithatë, Brukseli ka një histori problematike me përjashtimet.

Në vitin 2022, Hungaria dhe Sllovakia siguruan një klauzolë pa afat që u lejon të vazhdojnë të blejnë naftë bruto ruse përmes gazsjellësit Druzhba, duke krijuar një përjashtim të madh në një ndalim që, përndryshe, ishte shumë i rreptë. Kjo dispozitë vazhdon të jetë në fuqi edhe sot dhe ishte në qendër të një vetoje të debatueshme në fillim të këtij viti.

Një shembull tjetër është tavani i çmimit për naftën ruse të transportuar me rrugë detare, i cili u lejon vendeve të BE-së, si Greqia, të ofrojnë shërbime për cisternat që e respektojnë këtë kufi çmimi. Ndërkohë, vendosja e një tavani çmimi për LNG-në ruse konsiderohet e pazbatueshme për shkak të mungesës së ndikimit global të Bashkimit Europian.