Ish i dërguari special i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Richard Grenell, ka vizituar sot Mitrovicën e Veriut, ku ka takuar përfaqësuesit e popullit serb nga Kosova.
Takimi filloi rreth orës 16:00.
Në këtë takim marrin pjesë kryesia e Listës Serbe, duke përfshirë presidentin Goran Rakiq dhe nënkryetarin Igor Simiq, ish-kryetarin e Komunës së Zveçanit Dragisha Miloviq.
Siç thonë në Listën Serbe, takimi me Grenellin nuk ishte paralajmëruar më herët “për arsye sigurie”.
Gjatë krizës së fundit në veri të Kosovës, Grenell kritikoi disa herë veprimet e autoriteteve kosovare dhe kryeministrit Albin Kurti “për shkak të refuzimit të tyre të vazhdueshëm për t’iu përgjigjur kërkesave të SHBA-së dhe BE-së për de-përshkallëzimin e situatës”.
Ai po ashtu i bëri thirrje Kurtit që të tërheqë policinë speciale nga ndërtesat komunale në veri, që kryetarët e sapozgjedhur të punojnë nga lokacione alternative dhe që zgjedhjet e reja të mbahen menjëherë me pjesëmarrjen e plotë të serbëve.


