Lajme

Grenell emërohet nga Trump si i dërguar për misione të veçanta

12/15/2024 08:18
nga:G C

Presidenti i zgjedhur i ShBA-së Donald Trump, tashmë ka filluar t’ua jap detyrat njerëzve me të cilët do të punojë.

E një nga njerëzit e tij më të afërt do të jetë edhe Richard Grenell.

Trump e ka caktuar atë në një pozitë goxha të rëndësishme.

Siç shkruan Reuters, Grenell do të jetë i dërguar për misione të veçanta.

“Ric do të punojë për disa nga pikat më të nxehta në botë, përfshirë Venezuelën dhe Korenë e Veriut”, tha zoti Trump në platformën e tij të mediave sociale Truth Social, pa dhënë më tej për përgjegjësitë e këtij pozicioni.

Lidhur me këtë emërim ka reaguar edhe vet ish i dërguari i ShBA-së për dialogun Kosovë-Serbi.

“Të punosh në emër të popullit amerikan për Donald Trumpin është nderi më i madh i jetës. Presidenti Trump është dikush që u gjen zgjidhje problemeve, duke i mbajtur amerikanët të sigurt dhe të begatë. Kemi shumë punë për të bërë. Le të fillojmë punën”, u shpreh ai.

Ky i fundit nuk është emër i panjohur në administratën amerikane.

Richard Grenell kishte shërbyer në disa pozicione në mandatin e parë të presidentit Trump.

Grenell ishte ambasador i Shteteve të Bashkuara në Gjermani, i dërguar i posaçëm presidencial për negociatat mes Serbisë dhe Kosovës, si edhe si Drejtor në detyrë i Zbulimit Kombëtar.