Jack Grealish nuk ka dyshime se Manchester City po kalon një moment të jashtëzakonshëm dhe këtë e tregoi duke i shkaktuar një humbje të rëndë Real Madridit (4-0), për të arritur finalen e madhe të Champions League.
“Unë nuk mendoj se shumë skuadra mund ta bëjnë këtë me Real Madridin, por kur jemi bashkë, veçanërisht në shtëpi, ndihemi të pandalshëm. Nuk e di pse, thjesht e ndjejmë se jemi të pandalshëm, edhe në kampionat mendojmë se askush nuk mund të na mundë. Është e pabesueshme”, theksoi anësori në një prononcim për BT Sport, përcjell GazetaBlic Sport.
Jack Grealish analizoi paraqitjen e tij: “Unë po luaj mirë, i sigurt, por mendoj se mund të shënoj më shumë gola dhe të ofroj më shumë asistime.”
Manchester City do të përballet me Interin në finalen e Champions League: “Në çdo ndeshje do të përpiqemi të dominojmë. Trajneri ynë është një gjeni dhe jam i sigurt se do të zbulojë se ku mund ta lëndojmë Interin. Do të jetë një lojë e vështirë. Ata kanë shumë përvojë. Duhet të jesh një ekip i mirë për të arritur në finale. Duhet të respektosh kundërshtarin”.
/GazetaBlic Sport.


