Trajneri i mirënjohur kosovar, Granit Begolli ka komentuar listën e publikuar sot nga Kosova A.
‘Dardanët’ do të përballen me kombëtaren e Islandës në dy ndeshjet e “play off”-it të Ligës së Kombeve të vlefshme për promovimin në Ligën B, shkruan GazetaBlic Sport.
Begolli tha se i ka pëlqyer lista dhe futbollistët e ftuar, sepse shumica prej tyre kanë minuta tek skaudrat ku luajnë.
“Më pëlqeu lista, sepse shumica e lojtarëve janë që kanë minuta tek skuadrat e tyre. Ndoshta një mungesë tek kjo listë është ajo e Meriton Korenicës, sepse ka pasur një vazhdimësi të mirë dhe ka luajtur tek skuadra në Rumani. Një mungesë e madhe tek ne do të jetë ajo e Zhegrovës, i cili mungon për shkak të lëndimit. Mos të harrojmë që janë dy ndeshje shumë të rëndësishme, po shpresoj që futbollistët e ftuar ta japin maksimumin”, tha fillimisht ai.
Tutje, Begolli komentoi edhe ftesat e futbollistëve të rinj, ku tha se duhet që të mos ftohen vetëm njëherë, por që kjo gjë të jetë e vazhdueshme dhe jo e ndikuar nga zhvillimet e fundit.
“Urojmë që futbollistët e rinj të ftuar t’i mbajmë edhe në grumbullimet e tjera, mos të jetë vetëm në saje të ngjarjeve të fundit që kanë ndodhur, me disa futbollistë që kanë ikur vetëm pse nuk kanë qenë të ftuar tek Kombëtarja A. Dion Gallopeni është një futbollist me cilësi, besoj që do të jetë në të ardhmen një pikë shumë e fortë“, deklaroi Begolli.
/GazetaBlic Sport/