Sporti

Granit Begolli flet para ndeshjes, tregon dy pikat e forta të Ballkanit

09/08/2022 12:44
nga:Mergim Rreci

Analisti dhe trajneri kosovar, Granit Begolli e ka komentuar ndeshjen e sotme mes Ballkanit dhe Cluj në Conference League.

Të dy skuadrat do të përballen sot me fillim nga ora 18:45, në takimin që do të jetë historik për skuadrën kosovare.

Begolli tha për ‘GazetaBlic Sport’ se përparësia e Ballkanit është se nuk do ta ketë presionin që kishte në ndeshjet kualifikuese dhe çdo rezultat i arritur është një gjë shumë e mirë.

“Ballkani nuk do ta ketë presionin që me çdo kusht të marrë rezultate pozitive. Paraqitja pa presion natyrisht që mund të ndikojë shumë pozitivisht, ku mundësitë për të luajtur më mirë janë shumë më të mëdha, pse jo të merret edhe ndonjë rezultat i mirë”, tha fillimisht Begolli.

Më pas, ai tha se një pikë tjetër e fortë është poashtu grupi i futbollistëve që njihen shumë mirë mes vete.

“Mendoj se pjesa më e fortë është grupi i futbollistëve ku ata kanë luajtur së bashku për një kohë të gjatë, gjë që e bën një ekip të formuar mirë në çdo repart“, përfundoi Begolli me komentin e tij.

/GazetaBlic Sport/