Sporti

Granit Begolli: Atmosfera është fantastike tek Vëllaznimi, nëse vazhdojmë kështu, mund të bëjmë diçka të madhe

09/20/2021 20:36
nga:Lorik J

Kryetrajneri i Vëllaznimi, Granit Begolli është shprehur i lumtur për fitoren ndaj Lirisë.

Klubi i tij, Vëllaznimi ka fituar sot ndaj Lirisë me rezultatin 0:1, me golin e Tomas. Me këtë fitore, KF Vëllaznimi është ngjitur në vendin e parë në tabelë, kur janë luajtur katër xhiro në Grupin A të Ligës së Parë.

Begolli tha se ka optimizëm që Vëllaznimi të rikthehet në Superligën e Kosovës.

“Sigurisht që ka optimizëm, për shkak se e dimë se çfarë skuadre kemi dhe normalisht objektivi jo nga klubi, por specifikisht nga unë është që ne të qëndrojmë sa më lartë dhe nëse na jepet mundësia të arrijmë Superligën. Në qoftëse vazhdojmë me kësi paraqitje besoj se do të arrijmë diçka të madhe në fund”, tha fillimisht Granit Begolli për ‘GazetaBlic Sport’.

Më pas, trajneri i Vëllaznimit theksoi se gjendja është shumë e mirë tek Vëllaznimi, por është i vetëdijshëm që i pret punë e madhe.

“Është një atmosferë jashtëzakonisht e mirë, gjendja në klub është e mirë, futbollistët kanë motiv dhe po e tregojnë këtë ndeshje pas ndeshje, falë atmosferës së mirë, ne kemi pasur paraqitje të mira dhe kemi arritur këto fitore në këtë fillim të kampionatit, na pret punë e madhe, por me disiplinë shpresojë që të marrim rezultate në vazhdim të kampionatit”, përfundoi ai.

/GazetaBlic Sport