Sporti

Gramoz Vokrri: Pranimi i Kosovës në UEFA e FIFA ka qenë lehtësim i madh, Serbia lobonte fuqishëm kundër nesh

05/14/2021 21:55
nga:Mergim Rreci

Muaji maj i vitit 2016 është muaji historik për futbollin kosovar.

Në këto dy data, Kosova u pranua me të drejta të plota në instancat më të larta të Futbollit, në UEFA dhe FIFA.

Emisioni “Expose” prodhim i Gazetës Blic, ka realizuar dokumentar mbi këto dy data historike për futbollin tonë, tashmë kur janë bërë 5 vite nga këto ngjarje të mëdha.

Federata e Futbollit të Kosovës ishte e udhëhequr nga legjenda Fadil Vokrri dhe tashmë djali i tij, Gramozi tregon emocionet që përjetuan gjatë asaj kohe.

“Në të vërtetë ishin 10 ditë me shumë gëzim dhe festë, sepse puna më e madhe ishte pranimi në UEFA. Pranimi në FIFA ka qenë më shumë formalitet pas pranimit nga UEFA. Sidoqoftë, kjo vazhdon një datë historike sepse më në fund shënoi emrin e Kosovës në hartën e futbollit botëror. Pranimi në këto organizata ka qenë lehtësues, sepse presioni ishte i madh dhe Serbia loboi shumë kundër nesh. Ka pasur disa rezultate kulminante nga ekipi ynë kombëtar, por sigurisht që ka vend për përmirësime. Ne kemi qenë shumë afër arritjes së një suksesi të jashtëzakonshëm, por nuk shqetësohemi që nuk kemi arritur në këtë fazë, sepse kam besim se në të ardhmen do të na ofrohet mundësia për të arritur diçka të madhe përsëri“, tha Gramoz Vokrri për dokumentarin “Expose” .