Lajme

Grainca dhe Osmani kërkojnë përgjegjësi dhe zgjedhje të brendshme në LDK

01/15/2026 20:55
nga:G B

Nga zgjedhjet e 28 dhjetorit, si parti u rendit e treta.

Por, ndryshe prej 9 shkurtit, kësaj radhe Lidhja Demokratike e Kosovës mori më pak vota, dhe nga 20 deputetë ka rënë në 15.

Prandaj, kryetari Lumir Abdixhiku ofroi dorëheqje, e cila po vlerësohet më shumë si formale.

Ish-deputeti i LDK-së, Blerim Grainca, qëndrimin e Abdixhikut e konsideron më shumë si lojë fjalësh.

“Z.Abdixhiku ka ofru një dorëheqje formale, për të cilën unë mendoj që është e “kushtëzuar” apo më shumë mendoj që është lojë fjalësh se sa reale. Kur dikush jep dorëheqje dhe dëshiron të shkoj nuk ka kush që mund të ndalë, as Kuvendi as dikush tjetër. Nëse do të kishim fituar padyshim që meritat kryesore do t’i takonin kryetarit aktual dhe njerëzve që e rrethojnë, nuk është problem vetëm zotëri Abdixhiku, janë edhe disa njerëz të tjerë që janë rreth atij, që e mbajnë peshën kryesore qoftë për mos guximin intelektual për të reagu ndaj fenomeneve negative qoftë nëse kanë qenë bashkë krijues të politikave. Prandaj kur dikush vendos me shku, nuk mundet me ndalë askush”, ka thënë ai.

Nëse mbahen zgjedhje për kryetar partie, Grainca thotë se gara duhet të jetë demokratike me kundër-kandidatë.

“Tani për tani nuk kam parë ndonjë deklarim publik të ndonjërit nga kandidatët apo dikujt që ka pretendime sepse duhet të përcaktohet rruga. Askush nuk futet në një rrugë nëse ti paraprakisht ia bllokon procesin, ia përcakton suksesin, gara duhet të jetë demokratike zotëri Abdixhiku nëse vendos të dorëhiqet duhet ta bëjë realisht, të hapë garën e pastaj të krijohet një mekanizëm që e menaxhon atë proces, një komision zgjedhor ta quaj brenda partisë edhe kushdo që kandidon, kushdo që fiton edhe zotëri Abdixhiku mund të kandidoj në një proces normal të gjithë janë të obliguar pastaj të ndjekin pas dhe ti shërbëjnë me besnikëri Lidhjes Demokratike të Kosovës”, shprehet ish – deputeti i LDK-së.

Mirëpo, sikurse Grainca nuk mendon edhe ish – anëtari i LDK-së, Rexhep Osmani.

Osmani konsideron se Abdixhikut nuk mund t’i faturohet e gjithë fatura e dështimit.

Sipas tij, LDK-ja duhet të ketë zgjedhje të përgjithshme brenda.

Nënkryetarja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami ka ofruar dorëheqje të parevokueshme dhe të njëjtën gjë ia ka kërkuar edhe kryetarit Abdixhiku.