Lajme

“Grabitjet e armatosura”, avokati Shefqeti: Identifikimi i të dyshuarve mund të bëhet përmes automjetit që kryhet vepra

11/22/2023 18:34
nga:G B

Avokati, Florim Shefqeti në lidhje me grabitjen e armatosur në një argjendari në Suharekë ku mbeti i plagosur një polic ka thënë se identifikimi i të dyshuarve mund të bëhet më së lehti përmes identifikimit të automjetit të pronarit.

“Identifikimi i shpejtë mund të bëhet përmes identifikimit të automjetit, ky është çelësi fillestar. Përdorimi i maskave dhe e automjetit janë të planifikuara, zingjiri i identifikimit duhet të bëhet nga pronari ose poseduesi i automjetit”, ka thënë Shefqeti.

Shefqeti në emisionin “FIVE” ka thënë se këto vepra penale kryhen në mënyrë të koordinuar e të planifikuar dhe kryhen zakonisht kur përfundon orari i zyrtarëve të institucionit që planifikohet të grabitet.

“Ajo që do doja të thoja, normalisht këto vepra penale kryhen në mënyrë të koordinuar, planifikohet për të qenë më e përshtatshme, ndërrimet e punës të policëve, përfundimi i orarit të zyrtarëve, kur kemi të bëjmë me institucione bankare, pashmangshëm orari paraqet një indikacion”, ka vijuar ai.

Po ashtu edhe ish-koloneli i Policisë së Kosovës, Rrahman Sylejmani ka thënë se ky rast është një incident që hyn në kategorinë e veprave penale të rrezikshme por që sipas tij raste të tilla mund të ndodhin në çdo vend.