Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka pranuar që të ulet sot në një tavolinë në Bruksel ku përpara tij, në një tabelë të bardhë, shkruhej me të zezë emri i Kosovës me fusnotë.
Kjo gjë ka nxitur edhe reagime e raportime në media, meqë para 9 vjetësh, vetë Kurti si opozitar e kishte konsideruar fusnotën si tradhti ndaj shtetit të Kosovës që kishte shpallur pavarësinë më 17 shkurt 2008.
Por, atij i ka dal në mbrojtje Adriatik Kelmendi, publicisti që shpesheherë ka qenë kritik i ideve të proklamuara nga Lëvizja Vetëvendosje e Kurtit.
“Ta kritikosh Albin Kurtin pse po e përfaqëson Kosovën me fusnotë, është sikur ta kritikosh sot Përparim Ramën për rrugën ‘Muharrem Fejza’. E dimë që ai nuk e ka sjellur fusnotën. Njësoj siç e dimë se ka protestuar aktivisht kundër saj”, ka thënë Kelmendi.
Albin Kurti, në një deklarim të tij para nëntë vitesh, thoshte se fusnota e ka kthyer Kosovën në negociatat e Vjenës dhe paraqet tradhti ndaj shtetit të Kosovës.


