Lajme

Gorani: Nëse pretendimet e prokurorisë merren parasysh, dënimi i UÇK-së është destabilizim politik i Kosovës

02/10/2026 21:29
nga:Sh R

Në një analizë mbi procesin gjyqësor që po zhvillohet në Dhomat e Specializuara në Hagë, opinionisti Dukagjin Gorani, gjatë paraqitjes së tij në “Rubikon”, ka ngritur alarmin për pasojat e mundshme që mund të prodhojë ligjërimi aktual i prokurorisë.

Gorani tha të jetë tronditur mbi diskursin e përdorur nga prokurorët, duke e përshkruar atë si një fyerje të rëndë ndaj përpjekjes çlirimtare.

“Sot, njëri prej këtyre prokurorëve, fjalime e të cilët i përjetojsha si poshtërime personale, thotë: ‘Zoti Rexhep Selimi, përveç që është marrë me furnizim të armatimit, ka vendos edhe me sulmu një stacion të Policisë’. Merre me mend, një gjykatës që pretendon ta përfaqësoj Republikën e Kosovës,” deklaroi Gorani.

Përtej indinjatës emocionale, Gorani u ndal edhe te tendenca për të vendosur shenjën e barazimit mes agresorit shtetëror dhe gueriles çlirimtare. Sipas tij, nëse kjo logjikë juridike legjitimohet përmes verdikteve, pasojat do të jenë afatgjata dhe dërrmuese.

“Në fund ti e sheh se po qe se vazhdohet kjo logjikë, e unë shumë shpresoj që nuk do të vazhdohet edhe pse kam frikë që mundet, ne do të vijmë në situatë kur barazimi i jonë, barazimi i përgjegjësisë tonë me përgjegjësinë e agresorit, do ta destabilizon politikisht vendin tonë,” paralajmëroi ai.

Gorani pati një parashikim të zymtë për të ardhmen politike të vendit në rast të një verdikti dënues që legjitimon narrativën e prokurorisë.

“Nëse pretendimet e prokurorisë edhe pjesërisht merren parasysh, dënimi i UÇK-së është destabilizim politik i Republikës së Kosovës. Nëse sot dënohet UÇK-ja, jo vetëm shtetësia e këtij vendi, por stabiliteti politik i këtij vendi për periudhën që vjen do të jetë në rrezik dhe do të fillon të shkërmoqet,” tha ai.