Alejandro ‘Papu’ Gomez pretendon se ai u largua nga Atalanta në janar, sepse trajneri Gian Piero Gasperini u përpoq ta sulmonte fizikisht në dhomën e zhveshjes në pjesën e parë të një ndeshjeje të Ligës së Kampionëve kundër Midtjylland.
Gomez tha se i kërkoi presidentit të klubit Antonio Percassi largimin kur Gasperini refuzoi t’i kërkonte falje, por ai pretendoi se Percassi nuk do ta lejonte atë të bashkohej me ndonjë klub tjetër të Serie A pavarësisht dëshirës së tij për të qëndruar në Itali, përcjell GazetaBlic Sport.
“Unë nuk iu binda atij në një taktikë,” tha Gomez për gazetën La Nacion.
“Kishin 10 minuta deri sa të përfundonte pjesa e parë dhe ai më kërkoi të luaja në të djathtë, ndërsa unë po luaja shumë mirë në të majtë. Dhe unë thashë jo. Unë tashmë e dija se në pjesën e parë ai do të më nxirrte jashtë, dhe kështu ai bëri. Por në dhomën e zhveshjes – ai tejkaloi kufijtë dhe u përpoq të më sulmonte fizikisht.”
“Të nesërmen u mbajt një takim i të gjithë ekipit. I kërkova falje trajnerit dhe shokëve të skuadrës për atë që kishte ndodhur. Dhe nuk mora asnjë falje nga trajneri”, përfundoi ai.
/GazetaBlic Sport


