KFOR-i së bashku me Misionin e Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX) dhe Policinë e Kosovës, zhvilluan sot ushtrimin e përbashkët “Golden Sabre 2024”.
Gjatë këtij ushtrimi, u testuan procedurat për menaxhimin e turmave dhe reagimin në situata krize.
“Ky ushtrim tregoi gatishmërinë tonë për të përballuar së bashku çdo sfidë të sigurisë dhe reflektoi angazhimin tonë për bashkëpunim të vazhdueshëm, në dobi të të gjitha komuniteteve që jetojnë në Kosovë dhe për të mbështetur stabilitetin rajonal,” deklaroi komandanti i KFOR-it, Gjeneral Major Enrico Barduani.
Gjithashtu, KFOR-i shprehu mirënjohje për mirëkuptimin dhe mbështetjen e komuniteteve lokale gjatë përgatitjeve dhe realizimit të ushtrimit.
KFOR thotë se vijon zbatimin e mandatit të tij, bazuar në Rezolutën e Këshillit të Sigurimit të OKB-së të vitit 1999, për të siguruar një mjedis të sigurt dhe të qetë për të gjithë qytetarët e Kosovës dhe për të garantuar lirinë e lëvizjes.
Në këtë mision, KFOR punon në koordinim të ngushtë me Policinë e Kosovës dhe EULEX-in, sipas roleve të tyre përkatëse si garantues të sigurisë.