Sporti

“Golat e momentet më të mira, pengu në karrierë, mesazhi për futbollistët e trajnerët”, Labinot Osmani rrëfehet pas pensionimit

02/20/2023 16:49
nga:Lorik J

Një nga futbollistët më të mirë të pasluftës, Labinot Osmani ka vendosur para pak ditësh që të pensionohet nga futbolli aktiv.

Osmani i cili ishte një sulmues “vrasës” para portës ka vendosur që në moshën 37 vjeçare t’i japë fund karrierës së tij të lavdishme në futbollin vendor, ku fitoi gjithçka që mund të fitohet, shkruan GazetaBlic Sport.

Ai gjatë karrierës së tij ka luajtur për skuadrën e Vushtrrisë, Trepçës ’89, Hysit, Prishtinës, Feronikelit, Llapit dhe Dukagjinit.

Labinot Osmani potencon se ka pasur shumë momente të mira në karrierë, por ato të triumfeve ishin diçka që s’do t’i harrojë kurrë.

“Pas gjithë këtyre viteve si futbollist i shumë skuadrave është vështirë m’i përmbledh momentet që kam përjetuar, por që ndoshta kanë qenë fitimet e titujve dhe arritjet e objektivave me skuadra të ndryshme, gjithashtu edhe momentet me bashkëlojtarë në ekipe të ndryshme ku kam luajtur”, tha fillimisht Labinot Osmani për ‘GazetaBlic Sport’.

Secili lojtar normalisht se pas përfundimit të karrierës ka ndonjë objektiv që s’e ka arritur. Inkuadrimi në Superligë me Vushtrrinë edicionin e kaluar, nuk ishte i mundur për Osmanin, andaj e ka si dëshirë të parealizuar në karrierë.

Peng ndoshta nuk kam nga karriera si futbollist, pasi që krejtë çka mund të fitohet në futbollin vendor, i kam fitu duke ja shtuar këtë që kam fitu disa tituj me skuadra te ndryshme – por që ndoshta një deshirë ka qenë krejtë në fund inkuadrimi në superligë me FC Vushtrria, por qe nuk kemi arritur”, potencoi ai.

37 vjeçari thotë se momentalisht do të pushojë pak, teksa në të ardhmen mund ta shohim sërish me ndonjë rol jashtë fushave në futboll.

“Për momentin preferoj të pushoj pak, të analizoj situatat, e pastaj të shoh se çfarë do vendosi për të ardhmen, ndoshta në një të ardhme të afërt ose të largët të merrem edhe me këtë spor,  por gjithmonë duke analizu situatat në çfarë mund të kontriboj.”

Fitimi i titujve dhe inkuadrimet në Superligë për Osmanin janë më të mirat në karrierë.

“Gjatë karrierës kam shumë ndeshje dhe kujtime të bukura, ku secila prej tyre ka momentet e veta të bukura, por që ndoshta do veçoja momentet kur kemi fitu tituj ose inkuadrimet në Superligë.”

Ai thotë se ka shënuar gola të shumtë në karrierë, por ai ndaj Lirisë në barazh është ndoshta më i miri.

“Secili gol është i bukur, secili kujtim nga shënimet e golave është i bukur dhe ka në vete momentet e gëzimit, kam pas fatin të shënojë shumë gola të rëndësishëm në ekipe të ndryshme, por që për momentin ndoshta që më bie në mend është ‘Panenka’ në barazhin kundër Lirisë në Klinë.”

Sa i përket futbollit kosovar, ai thotë se ndër vite ka ndryshuar shumë, teksa veçon përmirësimin e infrastukturës dhe organizimin e klubeve në Superligë.

“Mendoj se vitet e fundit në futbollin e Kosovës është permirësuar dukshëm infrastuktura sportive, gjithashtu organizimi i klubeve sidomos në Superligë, pastaj prurja e futbollistëve nga jashtë e ka bërë që të ketë rritje dhe progres dhe pres që të ardhmen të ketë ende rritje në futbollin kosovar.”

Osmani poashtu ka edhe një mesazh për futbollistët e rinj, ku i këshillon që të bëjnë jetë sportistësh nëse duan suksese.

“Mesazhi që kisha me iu dhënë futbollistëve të rinj është që të kenë jetë sportisti, të punojnë pa ndal dhe të jenë të disiplinuar në jetën profesionale – pasi qe futbolli do punë, angazhim dhe jetë sportive për të arritur limitet, mundesitë në Kosovë sa vijnë e rriten për talenta, kështu që u mbetet vetëm të punojnë dhe të shfrytëzojnë mundësitë e tyre.”

Ai krejt në fund, falënderon gjithë trajnerët e tij me të cilët ka punuar gjatë karrierës, pasi sipas tij ka mësuar shumë nga ta.

“Secili trajner që kam pas fatin me punu ka pas metodat dhe mënyrat e veta, kështu që kam pas shum trajnera që kisha dashtë secilin prej tyre me falënderu për punën dhe mësimet e tyre”, përfundoi Labinot Osmani.

/GazetaBlic Sport