Sporti

Gol, sulm në zemër dhe rikthim sensacional në fushë me stentë të vendosur, rrëfimi drithërues i futbollistit kosovar: “Largohuni sepse nuk e kam ndërmend të vdes”

10/09/2024 19:04
nga:Mergim Rreci

Pavarësisht që shijon shumë si sport, nuk janë të rralla sfidat që futbollistët kanë para vetes.

Si në aspektin fizik e ashtu edhe në aspektin psikologjik, futbollistët shpesh herë ndjehen të rënduar dhe nën presion, por që lidhja e madhe me këtë sport bën që sfidat e tilla të kalohen.

Alban Rexhepi është shembulli më i mirë për këtë gjë, një djalë i fortë, e një futbollist shembull brenda dhe jashtë fushës. Jeta e sfidoi pikërisht në atë që e ai e donte më së shumti, të luajturit në fushën e blertë.

Në datën e 22 prillit të vitit 2022, Rexhepi ishte shumë i motivuar për lojë, atje ku mbronte ngjyrat e skuadrës së Vllaznisë, e cila atë ditë përballej me Flamurtarin. Kënaqësia e festës së golit nuk mund të mungonte tek një futbollist si Alban Rexhepi, i cili edhe në një ditë të vështirë si ajo, realizoi në portën kundërshtare.

Kur themi ditë të vështirë, nuk nënkuptojmë për rezultatin e ndeshjes, por për një gjë shumë të rrezikshme e që askush nuk e kishte pritur…sulm në zemër.

Fatkeqësisht, nga një ditë feste kjo datë u kthye në një ditë shumë të vështirë për futbollistin Rexhepi, i cili nga përballja me kundërshtarin në fushën e futbollit, duhej të përballej me sfidën e madhe për të jetuar.

Mes emocioneve, në një rrëfim për ‘GazetaBlic Sport’, Rexhepi tregon se si ndodhi ngjarja dhe se si ishte i vendosur për ta fituar këtë betejë aspak të lehtë.

Rasti i 22 prillit ka ardhur papritur krejt rastësisht pa asnjë shenjë paralajmëruese më herët. Ka qenë ndeshja mes Vllanizsë dhe Flamurtarit, ndeshje kjo që është luajtur në stadiumin ndihmës në Pozhoran. Në pjesën e parë shkoi gjithçka mirë, realizova edhe gol në atë ndeshje, por koha ishte shumë e rëndë, një nxehtë i madh dhe një ajër i papërshtatshëm. Sapo filloi pjesa e dytë, filluan të më mpihen paksa krahët dhe u ula në fushë. Në atë moment, i’u thash doktorëve se nuk mundem të vazhdojë dhe se më kishte lëshuar trupi komplet. Dola nga fusha dhe u futa direkt në zhveshtore, bëra një dush me ujë të ftohtë dhe thuajse u qetësova komplet, duke e shikuar pjesën e dytë, por u djersita shumë dhe nuk ndihesha mirë. Kur mbaroi ndeshja, u nisa me një të afërm timin për në Gjilan dhe rrugës filluan përsëri që të më mpihen krahët dhe të më shtrëngohet gjoksi, nuk mund të rrija as si i shtrirë. Menjëherë vazhduam drejt Emergjencës, atje ku më bën një EKG. Më kujtohet që ishin mbledhur ndoshta rreth 30 persona nga stafi shëndetësor rreth meje, kurse unë në ato momente thash: Largohuni, sepse nuk e kam ndërmend të vdes”, tha fillimisht Rexhepi.

Tutje, ai u dërgua me urgjencë në Emergjencën e Prishtinës, atje ku me shumë sukses e përfundoi operimin, duke qenë i pamposhtur edhe në këtë drejtim, ashtu siç ishte në fushën e lojës.

Rexhepi shprehet falënderues i madh ndaj veprimit të një infermieri, i cili gjatë gjithë rrugës nga Gjilani në Prishtinë, e kishte rrezikuar edhe jetën e tij, duke e mbajtur derën e autoambulancës të hapur, vetëm e vetëm që Albani të merrte pak freski, sepse ishte i mbuluar nga mundimi dhe temperatura e lartë.

“Nga aty më nisen për në Prishtinë, gjatë rrugës më kujtohet që një infermier e mbante derën e hapur të autoambulancës, vetëm që unë të kisha pak më freskët, sepse u mbulova nga nxehtësia dhe mundimi, ai e rrezikoi edhe jetën e tij duke e bërë këtë gjë për mua, andaj do ta gjejë atë dhe dua ta takojë në momentin që do të jem në Kosovë për pushime. Sapo kam mbërritur në Prishtinë, tek Emergjenca kërkuan familjarët e mi për të nënshkruar për operim në zemër, sepse sipas tyre: Vetëm Zoti më ka shpëtuar deri tek ai moment. Operimi shkoi pastaj me shumë sukses dhe me ndihmën e Zotit e kalova këtë sfidë dhe arrita të dal i pamposhtur. Kam një falënderim të madh për stafin e doktorëve në QKUK, në veçanti për doktoreshën Luljeta Durmishi, e cila është shembull i profesionalizmit dhe afërsisë me pacientët, nuk ka fjalë për ta përshkruar”, vazhdoi tutje Rexhepi.

Pas operimit gjithçka po shkonte mirë dhe Rexhepi po i rikthehej normalitetit bashkë me të edhe dëshirës së madhe për t’u rikthyer në atë që e donte shumë, sportin më të bukur në botë sipas tij, futbollin.

Ai kishte dëgjuar maksimalisht udhëzimet e doktorëve dhe pas një viti të plotë mori ‘dritën jeshile’ për rikthim në fushën e blertë, duke ‘vulosur’ fitoren ndaj një fenomeni që tashmë ka prekur një numër të madh të futbollistëve, e që në fund të fundit, nuk ishte vetëm një fitore për Albanin, por në përgjithësi për futbollin kosovar.

Ashtu siç ishte nga dita e parë, motivi i tij për të luajtur përkonte me nivelin më të lartë, pavarësisht që kishte vendosur një stentë në zemër.

“Kam respektuar maksimalisht këshillat dhe udhëzimet e doktoreshës Durmishi, kam pauzuar totalisht 6 muaj pas rastit, bëja vetë ecje dhe isha i kujdesshëm maksimalisht në ushqim. Pas 6 muajve, ajo më ka thënë të fillojë 2-3 herë javë aktivitet fizik, kurse pas 9 muajve kemi bërë ergometrinë, me rezultatet që ishin ato që prisnim, pra gjithçka në rregull. Megjithatë, dokotoresha nuk më dha leje pa u plotësuar 1 vit i plotë për të vazhduar me aktivitetin e plotë fizik, pra për stërvitje dhe lojë. Kur u bë një vit, kemi bërë përsëri ergometri dhe të gjitha ekzaminimet e tjera, atje ku mora një lajm super të mirë për mua e të cilin e kisha pritur gjatë, lejën me shkrim për rikthim në futbollin profesionist“, shtoi Rexhepi.

Nga Gjilani në Furth, Albani tashmë jetën po e vazhdon në Gjermani. Duke qenë vazhdimisht i lidhur me futbollin, ai karrierën po e vazhdon edhe atje. Rexhepi është angazhuar tek skuadra e ATSV Erlangen, e cila udhëheqet nga një emër i njohur shqiptar siç është Shqipran Skeraj.

“Tani jetën po e vazhdoj në Gjermani. Jetoj në qytetin e Furthit dhe prej se kam ardhur këtu jam interesuar për disa klube. Tani jam pjesë e skuadrës ATSV Erlangen, ku po e vazhdoj karrierën time. Kur erdha në këtë ekip kisha fatin që kishte lojtarë shqiptarë si Ervis Kaja, emër i njohur në futbollin shqiptar, si dhe dy lojtarë të tjerë Ensari dhe Artani, të cilët më pritën ngrohtësisht dhe dua t’i falënderoj shumë. Trajner i skuadrës u emërua Shqipran Skeraj, kurse ky sezon po na shkon shumë mirë, ku jemi dhe në vendin e parë dhe shpresoj që të ecim me hapa pozitiv për t’u inkuadruar në një rang më të lartë. Kushtet që posedon ekipi, infrastruktura dhe çdo gjë që i duhet klubit janë ideale, fatkeqësisht më duhet të them që nuk i kanë as skuadrat e Superligës në Kosovë“, vazhdoi futbollisti kosovar me rrëfimin e tij.

Krejt në fund, mesazhi i tij i fuqishëm duhet të jetë motiv dhe inspirim për të gjithë, jo vetëm për futbollistët. Nëse jeta të sfidon në forma të ndryshme, sipas Rexhepit asesi nuk duhet të dorëzohemi në qëllimet e tona, sepse asgjë nuk arrihet pa sakrificë. Askush nuk mund të jetë shembull më i mirë se Albani për këtë gjë.

“Të gjithë ata që merren me sport, nuk duhet të dorëzohen para asnjë pengese që iu del përpara, të gjitha mund të kalohen me punë dhe përkushtim, natyrisht asgjë në jetë nuk arrihet pa sakrificë. Shpresoj dhe uroj që në Kosovë të rritet infrastruktura dhe të investohet sa më shumë në futboll, sepse më të vërtetë ka shumë talentë të mëdhenj, por pa infrastrukturë të mirë dhe punë të dinjitetshme, shumica e tyre do të shuhen dhe do nuk do të kenë mundësi të shfaqin talentin dhe të arrijnë objektivat e tyre”, përfundoi Rexhepi.

 

/GazetaBlic Sport/