Lajme

Gogiç: Serbët në veri nuk i besojnë më Listës Serbe

04/08/2024 14:18
nga:Genita C

Analisti serb, Ognjen Gogiç ka komentuar vendimin e fundit të Listës Serbe për të mos marrë pjesë në shkarkimin e kryetarëve shqiptar.

Gogiç në një prononcim për GazetaBlic thekson se, regjistri i zgjedhësve në komunat veriore është i fryrë dhe sipas tij, shumë më pak njerëz jetojnë në veri të Kosovës sesa do të tregonte regjistri i votuesve.

Gogiç thotë se serbët në veri nuk i besojnë më Listës Serbe, teksa shton se nuk do të arrinte t’i bindte të votonin.

“Lista Serbe vlerësoi se votimi për shkarkimin e kryetarëve të komunave nuk do të ketë sukses. Prandaj, ata menduan se do të ishte më e leverdishme që paraprakisht të shpallnin bojkot sesa të prisnin të dështonin dhe pastaj të pranonin humbjen. Rezultati do të ishte i njëjtë. Dallimi është se në rast bojkoti ata mund të kundërshtojnë legjitimitetin e votimit. Nëse do të merrnin pjesë në votim dhe do të humbnin, nuk do të mund të vinin në dyshim ligjshmërinë e procesit”, tha Gogiç.

“Regjistri i zgjedhësve në komunat veriore është i fryrë. Shumë më pak njerëz jetojnë në veri të Kosovës sesa do të tregonte regjistri i votuesve. Së dyti, serbët në veri të Kosovës janë të zhgënjyer dhe apatikë kur është fjala për politikën në përgjithësi. Ata nuk i besojnë më Listës Serbe. Lista Serbe nuk do të arrinte t’i bindte të votonin”, shton ai.

Por, sipas Gogiçit serbët në veri nuk i besojnë as Qeverisë së Kosovës.

“Serbët nuk e kuptojnë pse u thirrën që të bojkotojnë zgjedhjet vitin e kaluar vetëm për t’u thirrur të votojnë për shkarkimin e kryetarëve të komunave tani. Së fundi, ata nuk i besojnë as Qeverisë së Kosovës. Ata mendojnë se institucionet nga Prishtina do ta pengonin procesin për t’i mbajtur kryetarët shqiptarë në detyrë sa më gjatë. Prandaj, ata nuk shohin asnjë kuptim të votojnë për largimin e tyre”, tha ai.

“Duke marrë parasysh të gjitha këto, Lista Serbe supozoi se nuk do të ishte e mundur të merrte mjaft serb për të votuar në referendum. Prandaj, për Listën Serbe ishte më e sigurt që të bënte thirrje për bojkot të referendumeve”, shton Gogiç për GazetaBlic.