Interi ka marrë një lajm të keq në prag të derbit ndaj Milanit, pasi kapiteni Lautaro Martinez nuk pritet të jetë i gatshëm për këtë përballje për shkak të një dëmtimi muskulor.
Sulmuesi argjentinas nuk ka arritur të rikuperohet në kohë nga lëndimi në muskujt e kofshës, të cilin e pësoi pas humbjes ndaj Club Brugge. Si pasojë, ai ka munguar në katër ndeshjet e fundit të skuadrës dhe pritet të mbetet jashtë edhe në sfidën kundër rivalëve të qytetit.
Mungesa e Lautaros përbën një shqetësim të madh për trajnerin Cristian Chivu, duke pasur parasysh rëndësinë e kapitenit në repartin ofensiv të zikaltërve.
Ndërkohë, Interin e presin disa ditë të ngarkuara, me dy përballje të rëndësishme në kalendar. Fillimisht, skuadra do të përballet me Venezian, përpara se të fokusohet te derbi ndaj Milanit, i planifikuar për të shtunën, më 31 tetor, në orën 20:45.
Për ndeshjen ndaj Venezias, Chivu po shqyrton mundësinë e rotacionit në formacion, me synimin për të menaxhuar sa më mirë energjitë e lojtarëve përpara derbit.
Megjithatë, mungesa e Lautaro Martinezit do të jetë një goditje e rëndësishme për Interin në një nga ndeshjet më të rëndësishme të sezonit, ku çdo rezultat ka peshë të veçantë për tifozët dhe objektivat e klubit.
/GazetaBlic Sport/


