Lajme

Goditet një rrjet droge në një shkollë në Athinë, 12 të arrestuar

12/20/2025 14:41
nga:Y I

Një rrjet i organizuar trafiku droge, ku përfshiheshin edhe nxënës të mitur, është goditur nga oficerët e Drejtorisë së Sigurisë së Atikës, pas një hetimi disa mujor.

Sipas mediave greke, në pranga janë vënë gjithsej 12 persona, nga të cilët 6 të rritur dhe 6 nxënës të mitur. Hetimet zbuluan se anëtarët e grupit trafikonin kryesisht kokainë dhe kanabis, si brenda një njësie shkollore ashtu edhe jashtë saj, duke kryer qindra transaksione shitblerjeje.

Aktiviteti kriminal i bandës kishte nisur në tetor të vitit 2025 dhe shtrihej në disa zona të Atikës, konkretisht në Nea Chalkidona, Ano Patisia dhe Nea Filadelfia.

Sipas policisë, bërthama e organizatës përbëhej nga të rritur, ndërsa të miturit përdoreshin për shpërndarjen e lëndëve narkotike. Po ashtu, “klientët” e këtij rrjeti rezultojnë të kenë qenë si të rritur ashtu edhe të mitur.

Hetimet vijojnë për zbardhjen e plotë të veprimtarisë kriminale dhe identifikimin e personave të tjerë të përfshirë.