Tre muaj pasi në ambientet e një lokali në zonën e Kodrës së Diellit, goditën me shishe në fytyrë duke i shkaktuar plagë të rënda, modelen Klea Prenga, motrat Antonela dhe Mariela Berisha kanë vendosur të dorëzohen në polici.
“Në vijim të njoftimit të dhënë më datë 09.08.2024, ku në një lokal te Kodra e Diellit, shtetaset A. B. dhe M. B. (motra) kanë goditur me shishe qelqi në fytyrë shtetasen K. P., ju njoftojmë se: Sot më datë 16.10.2024, rreth orës 19:00, këto dy shtetase janë vetëdorëzuar në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë”, njofton policia.
Autoritetet sqarojnë në vijim se Antonela Berisha është lënë në masën e sigurisë detyrim paraqitje, ndërsa motra e saj Mariela ka përfunduar pas hekurave.
“Në vijim të veprimeve u bë ekzekutimi i vendimit penal të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë e cila ka caktuar masën e sigurimit personal “Arrest në burg”, në mungesë, ndaj shtetases M. B., dhe masën e sigurimit “Detyrimi për tu paraqitur në Policinë Gjyqësore” ndaj shtetases A. B.”, sqarojnë uniformat blu.
Antonela Berisha dhe motra e saj dhunuan barbarisht Prengën në mbrëmjen e 6 gushtit, duke e sulmuar me shishe, gota dhe grushte më pas, në ambientet e një restoranti, shkruan A2.