Lajme

Godet O’Brien: Qeveria nxit dyshime se s’është e interesuar për jetë normale, pasoja më e madhe e moskoordinimit ishte dështimi në KiE

10/21/2024 12:17
nga:Gazeta Blic

Ndihmës Sekretari Amerikan i Shtetit për Çështjet Europiane dhe Euroaziatike, James O’Brien ka folur për pasoja ndaj Kosovës për shkak të veprimeve të Qeverisë pa pakoordinim me SHBA-në.

Ai tha se kjo sjellje e Kosovës nxit dyshime se Qeveria “është më shumë e interesuar për të treguar fuqi”.

“Për atë që përmendet se a janë gjërat të koordinuara apo jo… unë kam folur publikisht se sjellja e Prishtinës për t’u mos u koordinuar me ne dhe NATO’n nxit dyshime se ajo qeveri më shumë është e interesuar për të treguar fuqi se sa për të mundësuar jetë normale”, tha O’Brien në një intervistë për RTS-në në Beograd.

Ndërsa foli për pasojat, ai përmendi dështimin e Kosovës për t’u anëtarësuar në Këshillin e Europës në maj.

“Nuk pajtohem me ju se s’ka pasoja, ka disa pasoja për Kosovën, më e madhja ishte që vende të mëdha të Europës nuk votuan që Kosova të inkuadrohet në institucionet e tyre. Kosova mbetet mbrapa krahasuar me vendet tjera ballkanike. Krejt kjo ndodh për arsye se ata marrin disa vendime të pakoordinuara”, tha O’Brien.

“A keni insistuar për sanksione?”, u pyet ai, ndërsa nisi të përgjigjet duke thënë se s’mund të spekulojë.

“Nuk spekulojmë për këtë. Zakonisht sanksione zbatojmë kur ka problem të korrupsionit dhe shkelje të drejtave të njeriut. Ne duam që vendet të mësohen t’i zgjidhin problemet e tyre siç bëjnë vendet moderne europiane . Kjo bëhet me bisedime dhe shpërblime ekonomike. Atë që ua them politikanëve kosovarë është se duhet ta hapin ekonominë e tyre nëse duan të kenë sukses, e kjo nënkupton hapjen e pikëkalimeve kufitare”, tha O’Brien.

Ai në Beograd u takua me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq.

Diplomati amerikan pritet të vijë sot në Kosovë, ku siç merr vesh Gazeta Express, do të takohet me kryeministrin Albin Kurti. Me O’Brien, në Prishtinë do të jetë edhe Drejtoresha e Përgjithshme për Europën në Shërbimin Europian për Punë të Jashtme, Angelina Eichhorst, ashtu si në Beograd.