Një shtetas shqiptar është dënuar me pesë vite burg në Mbretërinë e Bashkuar, pasi u kap me drogë, para të gatshme dhe një pasaportë të falsifikuar italiane.
Tofik Jakupi, 28 vjeç, baba i dy fëmijëve, u ndalua nga policia britanike gjatë një kontrolli në një makinë të marrë me qira, ku u gjetën 1,300 paund, më shumë se 6 gram kanabis, 35 pako kokainë dhe një pasaportë italiane e falsifikuar.
Sipas gjykatës në Derby, Jakupi kishte ndihmuar në ngritjen e një plantacioni kanabisi në Northamptonshire dhe po transportonte një sasi droge drejt Greater Manchester, ku jetonte. Prokurori Alex Wolfson tha se i pandehuri dërgonte fitimet nga trafiku i drogës në Shqipëri për të mbështetur familjen e tij, shkruan TCH.
“Ky nuk është dikush që është i varur nga droga, por një person që shpërndan drogë dhe para si pjesë e një grupi të krimit të organizuar. Ai po udhëtonte në një makinë të shtrenjtë me qira në një autostradë të madhe dhe ishte qartësisht i besuar nga grupi,” tha gjykatësi Martin Hurst gjatë shpalljes së vendimit.
Gjykata vendosi që pas përfundimit të dënimit, Jakupi do të deportohet në Shqipëri.
“Nuk e di nëse je këtu ligjërisht apo ilegalisht, por do të deportohesh pas vuajtjes së dënimit. Ke një familje në Shqipëri dhe është për të ardhur keq që nuk qëndrove atje për të punuar dhe për të ndërtuar vendin tënd, në vend që të vije këtu për të kryer krime,” shtoi gjykatësi.


