Dëshmitarin Mark Shala është duke e marrë në pyetje trupi gjykues nëpërmjet gjyqtarit Gilbert Bitti, i cili tha se dëshmia e tij ka kontradikta me atë se çfarë ai kishte thënë gjatë intervistës për Zyrën e Prokurorit të Specializuar në vitin 2019.
Kontradikta që sipas gjyqtarit Bitti ka të bëjë me përshkrimin që dëshmitari i kishte bërë rolit të Pjetër Shalës në operacionin “Shigjeta”.
Sipas gjyqtarit, në vitin 2019 dëshmitari kishte thënë se Pjetër Shala nuk kishte asnjë rol.
“Edhe atëherë e kam kuptu pyetjet në atë mënyrë se kur thuhet a ka pas ndonjë rol, në gjuhën shqipe kuptohet a ka pasur ndonjë pozicion. Nëse ky ka qenë pjesëtar i UCK-ë nëse s’ka pas rol të komandantit ai ka pas mundësi ta ketë rolin e ushtarit. Unë e kuptoj vetëm kështu”, tha dëshmitari.
I pyetur se kur ishte kyçur në operacionin “Shigjeta” Pjetër Shala, dëshmitari tha që pas takimit të parë që kishte pasur.
Në pyetjen e gjyqtarit Bitti, u ndërlidh edhe avokati mbrojtës i Pjetër Shalës, Mohamed Hedi Aouini.
“Pak më herët gjykatësi Bitti foli për operacionin “Shigjeta” dhe fillimin e operacionit në mes 35 maj dhe 30 maj a ka pasur ushtar në front të pozicionuat dhe a ka pasur luftime para se te fillonte operacioni Shigjeta”, pyeti avokati Hedi Aouini.
Dëshmitari tha se në njërin drejtim kishte luftime dhe ai ishte drejtimi i Koshares ndërsa, në drejtimet tjera kishte pozicione.
“Në drejtimin e Koshares, ato kanë fillu qysh herët, kanë fillu diku në prill dhe aty luftimet vec kanë qenë të nisura qysh më herët. Ato kanë filluar nga 9-10 prilli. Këto drejtime të tjera kanë qenë në pozicione, por luftime të drejtpërdrejta nuk ka pasur deri sa ka fillu operacioni”, tha Shala.
Gjyqtari Bitti pyeti edhe për punën që ka pasur dëshmitari Shala në logjistikë gjatë kohës së luftës në Kosovë ku dëshmitari tha se ka qenë punë e lodhshme.
“Puna e logjistikës është shumë e lodhshe, shumë e vështirë dhe në bazë të përvojave të mija që i kam pas nga karriera ime e përparshme nga cdo armatë që kamë shërby, e kam vërejtë që logjistika është një punë e vështirë. Ju e dini që njerëzit që kanë kryer shërbim ushtarake, rol kyc të një ushtrie e luan logjistika.. Në luftë diku deri në 5-8 vetë të logjistikës duhet t’i shërbejnë një ushtari në front, për arsye se ai duhet të jetë i furnizuar, me veshmbathje, ushqim, armatim, municion, t’i krijoj vend për pushim etj. Në atë kohë edhe shëndetësia ka qenë në kuadër të logjistikës, edhe financat dhe të gjitha këto është dashur që t’i kryej logjistika”, tha Shala.
Pas kësaj deklarate, gjyqtari Bitti tha se si ka mundur të ndodhë një takim i relaksuar sic është përshkruar nga dëshmitari me Pjetër Shalën, kur ka qenë i ngarkuar me punë.
“Jo vetëm me Pjetër Shalën, por ne edhe kohë pas kohe edhe pse kemi pas punët mëdhaja nganjëherë kemi gjetë ndonjë moment që të relaksohet. Njeriut i nevoitet që të relaksohet. Ndoshta ndonjë mbramje jemi mbledhur edhe me pjesëtar të tjerë dhe jemi relaksu. Ai takim nuk ka qenë i gjatë, por kur takohesh me një njëri pas disa vitesh normal që gjen kohë ta pish një kafe dhe ndjehesh më i relaksuar”, u përgjigj dëshmitari Shala në pyetjen e gjyqtarit Bitti.


